Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim kryetarin e Bashkisë së Selanikut Yiannis Boutaris me të cilin ka nënshkruar edhe një marrëveshje binjakëzimi midis qyteteve të Durrësit dhe Selanikut. Në bisedën e zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë e miqësore të dy kryebashkiakët shprehën bindjen se kjo marrëveshje do të forcojë edhe më tepër miqësinë midis dy qyteteve por edhe dy vendeve tona. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako pasi i bëri një përmbledhje të shkurtër vlerave të shumta që përfaqëson qyteti i lashtë i Durrësit si dhe resurseve aktuale të qytetit u shpreh se të dy qytetet do të bashkëpunojnë ngushtë në projekte madhore që do të jenë në dobi të qytetarëve të Durrësit dhe Selanikut por edhe komunitetit të madh shqiptar që jeton në Selanik. Sipas kryebashkiakut Dako kjo është një marrëveshje e rëndësishme që i hap rrugën realizimit të shumë projekteve të përbashkëta në fushat e turizmit, kulturës, transportit, ekonomisë dhe biznesit midis dy qyteteve Durrësit e Selanikut. Nga ana e tij kryebashkiaku i Selanikut Yiannis Boutaris deklaroi se të dy qytetet kanë shumë të përbashkëta siç është lashtësia e tyre por edhe se janë dy nga qytetet më ta mëdha të vendeve tona si dhe dy qytete që kanë porte të rëndësishëm. Boutaris u shpreh se dy qytetet tona i lidh rruga Egnatia por edhe komuniteti prej 70 mijë shqiptarësh që jetojnë e që janë integruar plotësisht në Selanik. Sipas tij projektet që do të realizohen midis dy qyteteve do të jenë në dobi të zhvillimit të tyre në disa fusha por edhe në dobi të qytetarëve të Durrësit dhe Selanikut. Kryetari i Bashkisë së Selanikut Yiannis Boutaris i ka bërë edhe një ftesë zyrtare kryebashkiakut Dako për të vizituar Selanikun, ftesë që u pranua me kënaqësi nga kryebashkiaku i Durrësit. Po kështu dy kryebashkiakët kanë shkëmbyer edhe dhuratat përkatëse ku kryebashkiaku Dako i ka dhuruar kryebashkiakut të Selanikut një simbol që paraqet mozaikun “Bukuroshja e Durrësit” ndërkohë që edhe kryebashkiaku Boutaris i ka dhuruar kryebashkiakut Dako një nga simbolet arkeologjike të qytetit të Selanikut. Më pas Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe Kryetari i Bashkise së Selanikut Yiannis Boutaris kanë nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit midis dy qyteteve të Durrësit dhe të Selanikut. Duke u nisur nga dëshira për zhvillimin e një bashkëpunimi midis dy qyteteve në fushën kulturore, shoqërore dhe ekonomike dhe të bindur se bashkëpunimi midis dy qyteteve do të kontribuojë në zgjerimin e marrëdhënieve miqësore midis dy popujve të Greqisë dhe Shqipërisë dy kryebashkiakët kanë firmosur këtë marrëveshje binjakëzimi me dëshirën për të forcuar rolin e pushtetit lokal dhe për të arritur prosperitetet e dy qyteteve dhe me qëllimin e forcimit të paqes dhe stabilitetit nëpërmjet bashkëpunimit të ndërsjellë, duke qenë të bindur për rolin e rëndësishëm që luajne keto qytete për zhvillimin e mëtejshëm në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në marrëveshje theksohet se të dy qytetet do të kenë synim zhvillimin e përbashkët për një bashkëpunim të frytshëm në të gjithë fushat, gjë që do të jetë në interes të qytetarëve të Selanikut dhe qytetarëve të Durrësit. Të dy qytetet do të të shkëmbejnë informacione dhe përvoja në lidhje me zhvillimin e tyre, veçanërisht në fushat e qeverisjes vendore, tregëtisë, turizmit mirëqënies sociale dhe të mjedisit. Ato do të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në trajnime kulturore, arsimore dhe profesionale, si dhe në sektorin e rinisë dhe sporteve dhe do të mbështesin bashkëpunimin midis organizatave, institucioneve dhe organeve të tjera përkatëse. Të dy qytetet do t'i kushtojnë vëmendje të veçantë promovimit të turizmit dhe përforcimin e lidhjes midis banorëve të dy qyteteve . Përveç vizitës në Bashkinë e Durrësit, Kryebashkiaku i Selanikut Yiannis Boutaris ka zhvilluar vizita në disa site arkeologjike të qytetit të Durrësit ku është njohur me lashtësinë e qytetit tonë si dhe ka vizituar me interes të veçantë amfiteatrin e Durrësit.