Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim kryetarin e bashkisë së Bitontos Michele Abbaticchio i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Durrës. Kryetari i bashkisë së Bitontos, qytet në afërsi të Barit Itali, ka ardhur në Durrës i shoqëruar edhe nga kreu i këshillit bashkiak Vito Palmieri si dhe zyrtarë të tjerë.

Kreu i bashkisë së Bitontos vjen në Durrës pas vizitës të dy muajve më parë që kryebashkiaku i Durrësit zhvilloi në Bitonto ku edhe ka nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit midis Durrësit e Bitontos. Pikërisht disa nga aktivitetet që do të kryhen në kuadër të kësaj marëveshjeje dhe bashkëpunimi midis dy qyteteve kanë qenë tema kryesore e bisedës së zhvilluar midis kryebashkiakut të Durrësit dhe atij të Bitontos.

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka bërë një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku Dako është ndalur edhe në fushën e turizmit duke e njohur delegacionin italian me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja.

Nga ana e tij kryebashkiaku i Bitontos Abbaticchio ka falenderuar kryebashkiakun Vangjush Dako për pritjen dhe ka biseduar gjatë me kryebashkiakun e Durrësit në lidhje më shumë fusha ku biseda është ndalur edhe në sektorin e turizmit i cili gjithashtu është një sektor mjaft i rëndësishëm përsa i përket ekonomisë së qytetit dhe të gjithë Shqipërisë. Të dy kryebashkiakët kanë deklaruar se binjakëzimi midis Durrësit e Bitontos do të sjellë shumë shkëmbime kulturore, ekonomike dhe turistike midis dy qyteteve tona por edhe midis Durrësit dhe zonës së Puglias në përgjithësi.

Në këtë takim kryebashkiaku Vangjush Dako i ka dhuruar kryebashkiakut të Bitontos Michele Abbaticchio, kryetarit të këshillit bashkiak Vito Plamieri si dhe një personaliteti të këtij qyteti Giuseppe Guglielmo titujt mirënjohje e qytetit për kontributin e tyre në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe binjakëzimit midis dy qyteteve tona.

Pas vizitës në bashkinë e Durrësit delegacioni italian ka zhvilluar vizita në amfiteatrin e qytetit, muzeun etnografik, torrën veneciane etj duke u njohur nga afër me vlerat historike dhe kulturore të qytetit të Durrësit.