Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka nënshkruar kartën evropiane për barazi të grave dhe burrave në jetën vendore. Në ceremoninë e organizuar në Bashkinë e Durrësit merrte pjesë edhe përfaqësuesi i UN Ëomen në Shqipëri David Saunders. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako pasi nënshkroi kartën evropiane për barazi gjinore deklaroi se çështjet sociale kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prioritet i Bashkissë së Durrësit: “Nënshkrimi i kartës evropiane për barazi gjinore është një tjetër hap i rëndësishëm për Bashkinë e Durrësit në lidhje me këtë çështje ku që në vitin 2008 ne kemi hapur të parën zyrë për barazinë gjinore dhe kundër dhunës në familje. Çështjet sociale kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prioritare për bashkinë e Durrësit. Kjo kartë që nënshkruam na obligon që të kemi një pjesëmarrje më të gjerë të grave në institucionet tona dhe të sigurojmë barazinë midis grave dhe burrave gjë që deri tani ne e kemi bërë realitet në administratën e bashkisë ku më shumë se 50 % janë gra.” Shqipëria i bashkohet 33 vendeve të Europës duke nënshkruar nivel vendor, “Kartën Europiane për Barazi të Grave dhe Burrave në Jetën Vendore”. Bashkia e Durrësit është ndër të parat nga 61 bashkitë e reja në vend që ndërmorri një angazhim zyrtar ndaj parimit të barazisë me qëllim arritjen e një jete më të mirë për të gjithë banorët pavarësisht gjinisë. Karta Evropiane për Barazi të Burrave dhe Grave në Jetën Vendore u drejtohet organeve të qeverisjes vendore dhe rajonale të Europës, të cilat ftohen ta nënshkruajnë dhe të zbatojnë, brenda territorit të tyre, angazhimet e parashtruara në Kartë. Pavarësisht arritjeve kryesore që ka bërë Shqipëria në fushën e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave, mbeten ende shumë sfida që gratë dhe burrat të gëzojnë të drejta të barabarta në jetën shoqërore, politike apo ekonomike. 30 Nenet e Kartës Europiane për Barazi, paraqesin masa se si bashkitë dhe qarqet mund të punojnë për përmirësimin e barazisë gjinore në fusha të ndryshme të kompetencave të tyre. Me nënshkrimin e këtij dokumenti bashkia e Durresit angazhohet publikisht që tё hartojё dhe miratojё “Planin e Veprimit pёr Barazi” dhe ta zbatojё atё nё vazhdimёsi duke raportuar rregullisht për ecurinë e këtij plani. Në të njëjtën kohë bashkia angazhohet të bashkëpunojë me qeveritë lokale dhe rajonale në Europë. Me nënshkrimin e Kartës Europiane, bashkitë në Shqipëri mund të përfitojë nga praktikat më të mira europiane duke rritur njëkohësisht prezencën e tyre në nivel Europian si dhe bashkëpunimin në fushën e barazisë gjinore. Deri më sot ky dokument është nënshkruar nga 1500 autoritete vendore dhe rajonale në 33 vende të Europës.