Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi në Durrësit konferencën rajonale “E drejta për informim, autoritetet publike, koordinatori dhe programet e transparencës”. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, prefekti Roland Xhelilaj, përfaqësues të tjerë nga Prefektura, Bashkia e Durrësit dhe njësitë e tjera të qeverisjes vendore të qarkut; organet e drejtësisë; Policia e Shtetit; institucionet qendore në nivel vendor; shoqëria civile; media, etj. Konferenca të tilla rajonale janë zhvilluar edhe në qarqet e Lezhës, Beratit, Elbasanit, Gjirokastrës, Kukësit, Korçës, Vlorës dhe Shkodrës. Komisioneri për të drejtën e informimit Besnik Dervishi, në fjalën e tij theksoi risitë që ka sjellë ligji “Për të drejtën e informimit” në ndryshimin e mentalitetit dhe kulturës së administratës publike. Sipas tij, ka ardhur koha që programet e transparencës të përmirësohen për të reflektuar specifikat e Autoriteteve Publike. Njëkohësisht, duhet të forcohet roli i koordinatorit për të drejtën e informimit në përmbushjen e plotë të detyrimeve në procesin e trajtimit të kërkesave të qytetarëve. Zyra e Komisionerit e konsideron të rëndësishëm angazhimin e institucioneve shtetërore dhe bashkëpunon me to për adresimin e problematikave që ndeshen gjatë zbatimit të ligjit. Zyra e Komisionerit mbajti një prezantim për të pranishmit duke i njohur ata në mënyrë integrale me risitë e këtij ligji, me funksionimin e Autoritetit dhe me raste praktike. Prezantimi shërben edhe si një udhërrëfyes në procesin e trajtimit të kërkesave të qytetarëve. Ndërsa, u vlerësua me rëndësi hartimi, plotësimi me sa më shumë informacion dhe përditësimi i programit të transparencës nga Autoritetet Publike.