Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadorin e  Kuvajtit në Shqipëri, Fayez Mishari Al-Jassim. Në këtë takim merrte pjesë edhe deputetja e Durrësit Esmeralda Shkjau. Ambasadori i Kuvajtit shprehu kënaqësinë për zhvillimin dhe projektet e mëdha infrastrukturore që janë realizuar në Durrës këto vite. Në Durrës kanë ndodhur ndryshime të mëdha pozitive - deklaroi ambasadori - dhe këtë e shoh kudo pasi unë e vizitoj shpesh qytetin e Durrësit. Më tej ambasadori Fayez Mishari Al-Jassim shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të kontribuar dhe bashkëpunuar në projekte të ndryshme që i shërbejnë qytetit të Durrësit. Qeveria kuvajtjane ka financuar disa projekte në Durrës si ndërtimi i qendrës për autizmin ndërkohë që një tjetër financim prej 145 mijë eurosh jepet për qendrën ditore të të moshuarve. Po kështu shteti kuvajtjan ka shprehur gatishmërinë për të financuar edhe projekte të tjera në të ardhmen në qytetin e Durrësit. Nga ana e tij kryebashkiaku Dako e ka njohur ambasadorin kuvajtjan me historinë dhe resurset që ofron qyteti i Durrësit si dhe me projektet madhore që janë realizuar dhe vazhdojnë të realizohen në shërbim të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit. Kryebashkiaku Dako e ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me Kuvajtin dhe ka shprehur dëshirën që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të tjera projekte që i shërbejnë qytetit të Durrësit. Në fund të takimi që kaloi në një frymë miqësore kryebashkiaku Dako dhe ambasadori i Kuvajtit Fayez Mishari Al-Jassim shkëmbyen dhuratat e rastit. Më pas kryebashkiaku Vangjush Dako ka nënshkruar një kontratë sponsorizimi me sekretariatin e përgjithshëm të vakëfeve të Kuvajtit përfaqësuar në Shqipëri nga Shoqata Komiteti i Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi. Në ceremoninë e nënshkrimit merrnin pjesë drejtori i përgjithshëm i kësaj shoqate Abdulaziz Alobaid dhe drejtori për Shqipërinë Ibrahim Elfaki. Objekt i kësaj kontrate është sponsorizimi në vlerën 145.000 Euro, nga ana e Sekretariatit të Përgjithshëm të Vakëfeve në Kuvajt për Qendrën Ditore e të Moshuarve. Sipas kësaj kontrate Sekretariati i Përgjithshëm  i Vakëfeve në Kuvajt, merr përsipër të sponsorizojë shumën prej 45.000 Euro për “Rikonstruksion godine dhe blerje pajisje” për Qendrën Ditore e të Moshuarve dhe shumën prej 100 mijë euro për “Financim për trajtimin me ushqim” për këtë qendër për një periudhë 1 vjeçare. Ndërsa Bashkia Durrës merr përsipër të realizojë rikonstruksionin e godinës dhe blerjen e pajisjeve, si dhe financimin me trajtim ushqimor për Qendrën Ditore të të Moshuarve sipas legjislacionit në fuqi për prokurimet publike. Kryebashkiaku Dako i ka shprehur falenderimet e tij për këtë donacion që i vjen në ndihmë të moshuarve ndërkohë që si kryebashkiaku ashtu edhe pala kuvajtjane shprehën bindjen se bashkëpunimi midis Kuvajtit dhe Shqipërisë e veçanërisht me Durrësin do të thellohet edhe më tej.