Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, së bashku me kryebashkiaken e Durrësit Valbona Sako dhe me Prefektin e Qarkut Durrës, Roland Nasto, i cili drejton Task Forcën Vendore për mbarëvajtjen e sezonit turistik, zhvilluan një inspektim të masave në plazhet e liruara, të zaptuara nga subjekte në mënyrë të paligjshme në zonën e Currilave dhe Golemit, gjatë aksioneve të ditëve të fundit nga Policia e Shtetit. Të pranishëm në inspektim ishin edhe drejtues të tjerë vendorë të Policisë dhe të Policisë Bashkiake.

Gjatë inspektimit, zv.ministrja Voda dhe kryebashkiakja Sako takuan edhe një prej patrullave me forca policore italiane, të cilat janë të angazhuara në mbarëvajtjen e sezonit veror në Shqipëri.

Grupi i Task-Forcës së ngritur nga Prefekti ku pjesë e së cilës është dhe Policia Bashkiake, ka vijuar pa ndërprerje aksionin për lirimin e hapësirave publike në plazhe  të zaptuara nga sipërmarrës privat.

Ky aksion është vlerësuar edhe nga pushuesit dhe qytetarët e Durrësit. Pasi kanë inspektuar plazhet kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako, zv/ministrja Rovena Voda dhe prefekti Roland Nasto kanë zhvilluar në bashkinë e Durrësit një mbledhje me të gjithë krerët e njësive administrative të Durrësit. Kryebashkiakja Sako deklaroi se Bashkia e Durrësit me të gjitha njësitë administrative është në gatishmëri të plotë gjatë këtij sezoni turistik me një plan masash të përcaktuar qartë për një shërbim sa më të mirë ndaj qytetarëve por edhe turistëve të shumtë numri i të cilëve është rritur shumë këtë sezon.