Bashkia e Durrësit vijon punën për t’i ardhur në ndihmë familjeve më në nevojë në këto kohë të vështira të luftës ndaj Covid 19. Deri tani nga shpërndarja e pakove ushqimore e higjenike kanë përfituar 2718  familje ndërkohë që prej ditës së djeshme po vijon edhe shpërndarja e 400 pakove, duke e cuar kështu numrin e familjeve përfituese në mbi 3100 në të gjithë territorin e bashkisë, në qytet dhe në zonat rurale.

Pakot me ndihma vijnë nga Rezervat e Shtetit në kuadër të operacionit humanitar, nga bashkia, por edhe nga kontributi i organizatave të ndryshme joqeveritare. Bizneset e qytetit gjithashtu kanë dhënë mbështetjen e tyre duke iu bashkuar thirrjes së bashkisë për të ndihmuar familjet më të prekura nga masat shtrënguese për ndalimin e përhapjes së COVID-19. 

Krahas ndarjes së ndihmave, vijon edhe asistenca ndaj të moshuarve të vetmuar, pensionistëve dhe personave me aftësi të kufizuar të cilët nuk kanë familjarët pranë banesave të tyre. Një rrjet patronazhistësh që përbëhet nga punonjës të bashkisë dhe vullnetarë kujdeset për të kryer shërbimet e nevojshme në bashkëpunim edhe përfaqësues të institucioneve të tjera në nivel lokal. Ndërkohë 190 familjet e përfshira në skemën e ndihmës ekonomike të bashkisë Durrës, po përfitojnë tashmë dyfishimin e pagës në bazë të vendimit të qeverisë.