Në bashkinë e Durrësit është zhvilluar mbledhja e komitetit drejtues për mekanizmin e kordinuar kundër dhunës në familje. Në këtë takim ka marrë pjesë kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako, drejtues dhe specialistë të 11 institucioneve vendore, OJF lokale si dhe anëtarë të këshillit bashkiak. Fillimisht është prezantuar puna multi-sektoriale e MKR-së për parandalimin dhe menaxhimin e rateve te dhunës në familje dhe rezultatet. Më pas pjesëmarrësit kanë diskutuar gjerësisht lidhur me bashkëpunimin dhe sfidat për të ardhmen me qëllim për të patur një vëmendje të shtuar ndaj rasteve të dhunës në familje dhe për tu siguruar atyre mbrojtjen e nevojshme. Në fjalën e saj kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako deklaroi se gjatë këtyre viteve është punuar jo vetëm nga Bashkia e Durrësit por edhe nga të gjithë anëtarët e reagimit të koordinuar duke ju dhënë zgjidhje rasteve që kanë kërkuar mbrojtje: “Si kryetare e Komitetit drejtues të Mekanizmit kundër Dhunës në Familje, e vlerësoj praninë tuaj në takim, pasi është shumë e rëndësishme prania e secilit aktor. Ka rreth 9 vjet që nga dita, kur të nxitur nga PNUD, shoqëria civile dhe me miratimin e të gjithëve ju, bashkia jonë vendosi të ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të zbatimit të Ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”, dhe ligjin nr. 9970, datë 24.07.2008 “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri” duke krijuar strukturën për menaxhimin e rasteve të dhunës në familje. Gjatë këtyre viteve është punuar jo vetëm nga Bashkia Durrës, por edhe nga të gjithë Anëtarët e Reagimit të Koordinuar, duke ju dhënë zgjidhje rasteve që kanë kërkuar mbrojtje. Tashmë ka ardhur momenti që t’i kushtohet vëmendje e madhe menaxhimit të çdo rasti, për tu ofruar atyre mbrojtje dhe ofrimin e shërbimeve të nevojshme të bazuara në vlerësimet e rasteve. Dhuna ndaj grave dhe vajzave (DhNGV) është një shkelje e përhapur e të drejtave të njeriut dhe një problem global. Dhuna në familje nuk prek vetëm gratë që rrihen dhe abuzohen, por ajo ka ndikim negativ edhe ndaj fëmijëve të cilët janë viktima të drejtpërdrejta dhe /ose të tërthorta. Megjithëse dhuna në familje është një problem që ndikon negativisht tek individët, familjet dhe komunitetet, shumë shqiptarë e tentojnë ta konsiderojnë dhunën në familje si një problem privat, çështje familjare dhe pjesë të zakonshme të martesës dhe jetës familjare. Meqënëse dhuna në familje shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura dhe nuk diskutohet, pranohet ose adresohet hapur në shoqërinë shqiptare, viktimat vuajnë zakonisht në heshtje. Në jemi fokusuar në 3 shtyllat kryesore: Parandalim, Mbrojtje, Referim. Kjo realizohet nëpërmjet: Rritjes së kapaciteteve, zgjerimit të shërbimeve, përmirësimit të bashkëpunimit mes anëtarëve të mekanzimit dhe sensibilizimin e aktorëve dhe të komunitetit në detyrimin për të reaguar ndaj çdo rasti dhune, si dhe për të garantuar siguri dhe mbrojtje për viktimat e dhunës. Në këtë kuadër, duke ju falenderuar për punën e deritanishme dhe sfiduese në mbrojtje të viktimave të dhunës, kërkoj nga të gjithë aktorët vëmendje të veçantë në zbatimin rigoroz të detyrimeve ligjore, ndarjen në kohë reale të informacionit sidomos për rastet në rrezik të lartë dhe në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional.”