Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka zhvilluar një takim me banorët e zonës së ish kënetës të cilët kishin shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me infrastrukturën në disa rrugë të kësaj zone dhe problemin e kanalit. Kryebashkiakja Sako në bashkëbisedim me ta ka deklaruar se shumë shpejt do të hartohen projektet për rikonstruksionin e katër rrugëve në këtë zonë me të gjithë infrastrukturën e nevojshme asfaltim, ndriçim e gjelbërim dhe do të shihet mundësia e kryerjes së këtyre investimeve të mëdha me fondet e bashkisë por edhe me ndihmën e qeverisë shqiptare. Po kështu kryebashkiakja Sako deklaroi se po merren të gjitha masat dhe vijon puna për pastrimin e kanaleve në këtë zone, punime që po kryhen nga ndërmarrja Rruga. Në zonën e ish kënetës janë kryer investime të shumta megjithatë ka ende zona ku duhet të ndërhyhet. Kryebashkiakja Sako deklaroi se janë marrë parasysh të gjitha shqetësimet e këtyre banorëve dhe në sajë të investimeve që do të kryhen së shpejti do të vendoset normaliteti edhe në këtë pjesë të ish kënetës.