Printo

Kanë filluar rikonstruksionet e ambienteve të përbashkëta të pallateve me shkallë dëmtimi DS1-DS2-DS3. Rikonstruksionet do të kryhen në fasadat, shkallët dhe muret e ashensorëve të këtyre godinave. Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka inspektuar punimet që po kryhen në disa pallate në lagjen 18. Kryebashkiakja Sako deklaroi se deri tani janë lidhur kontratat për 7 lote dhe kjo përfshin rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta për 458 pallate. Në lidhje me grantin për rikonstruksion kryebashkiakja Sako deklaroi se janë dhënë deri tani 100 mijë lekë të rinj për 1700 familje, 250 mijë lekë të rinj për 3400 familje dhe 500 mijë lekë të rinj për 3800 familje të Durrësit. Riparimi i banesave nga familjet që kanë përfituar nga granti për rikonstruksion si dhe riparimi i ambienteve të përbashkëta të pallateve nga ana e shtetit janë një hap i madh drejt kthimit në normalitet të mijëra familjeve që janë dëmtuar nga tërmeti i vitit të kaluar.