Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne  me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944. Në këtë ceremoni, e cila është zhvilluar duke zbatuar protokollin shëndetësor, merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Roland Nasto, kryetari i këshillit bashkiak Ani Dyrmishi, kryetari i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Durrës, Selam Hodo, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri. Ceremonia është çelur me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe më pas fjalën e rastit e ka mbajtur kryebashkiakja Sako e cila u shpreh: “Ju falënderoj për praninë tuaj këtu, ku, si çdo vit, jemi së bashku në përkujtim të ditës historike të çlirimit të qytetit tonë, ditë për të cilën kanë sakrifikuar e kanë dhënë jetën dhjetëra patriotë, luftëtarë të lirisë, të rinj e të reja.

Më lejoni të shpreh  mirënjohjen e thellë të popullit të Durrësit për kontributin dhe vetëmohimin e gjithë heronjve dhe dëshmorëve që në emër të lirisë nuk kursyen asgjë për të arritur ditën e madhe dhe të lavdishme të 14 Nëntorit, ditën e çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë.

Durrësi, u gjend në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore sepse pikërisht në këtë qytet, më 7 prill, nisi të shkruhej me gjak historia e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. 

Durrësi u bë në këtë mënyrë një nder qytetet me të rëndesishëm të kësaj lëvizjeje. Me kalimin e viteve edhe nën okupimin nazist, qyteti nuk e ndali luftën për çlirim, por përkundrazi e shtoi atë edhe më shumë, duke zgjeruar bazat e luftës dhe shtuar rradhët e luftëtarëve të lirisë. 

As vrasjet apo masakrimet, burgosjet apo internimet nuk e gjymtuan dot shpirtin liridashës të popullit të këtij qyteti që u kthye në simbol të qëndresës dhe luftës  ndaj nazifashizmit. Ne u përulemi me mirënjohje të gjithë atyre djemve dhe vajzave durrsake që e lidhën fatin e tyre me fatin e fitores antifashiste. 

Sot, pas 76 vjetësh ne jemi krenarë te përkujtojmë ditën  historike të 14 nëntorit dhe të  shprehim respektin dhe mirënjohjen për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë për të sakrifikuar deri dhe jetët e tyre për lirinë e vendit. 

Kjo ditë, teksa na fton të gjithëve si qytetarë të shprehim mirënjohjen, na obligon si brez t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore, historike të asaj epoke të lavdishme dhe njëkohësisht neve, që drejtojmë sot këtë qytet na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesorja ajo që ka të bëjë  me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; një Shqipëri evropiane. 

Durrësi, qyteti ynë, pavarësisht goditjeve që mori nga tërmetet dhe pandemia po ringrihet dhe do të vijojë të ecë me me ritme të shpejta në rrugën e tij të pandalshme  drejt zhvillimit. 

Të gjithë së bashku na duhet të punojmë palodhur për të patur një qytet sa më të begatë, me të pastër, më të lulëzuar, me ekonomi më të zhvilluar e me mirëqenie më të lartë sepse vetëm në këtë mënyrë përmbushim jo vetëm amanetin e të rënëve, por dhe aspiratën e qytetarëve tanë.” Në këtë ceremoni e ka marrë fjalën edhe kryetari i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Durrës, Selam Hodo, i cili theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të luftës antifashiste nacionalçlirimtare si dhe vuri në dukje fakte historike nga kjo luftë e përcolli kujtime nga dita e çlirimit të Durrësit.