Printo

Me rastin e 7 Marsit, ditës së mësuesve, Bashkia e Durrësit organizoi një ceremoni të veçantë për të vlerësuar kontributin e mësuesve të qytetit për mësimin  dhe edukimin e fëmijëve. Ceremonia u zhvillua në përputhje me protokollin shëndetësor. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi, drejtoresha e DARP Ana Dhamo, deputetja e Durrësit Klodiana Spahiu dhe mësues të nderuar të qytetit. Në fjalën e saj kryebashkiakja Sako pasi falenderoi arsimtarët për kontributin që japin në misionin e tyre fisnik deklaroi se urimi më i mirë në këtë 7 Mars janë 10 shkollat e rindërtuara në Durrës me standarte evropiane dhe shumë të tjera që janë në punë e sipër: “Ne ju nderojmë ju, për punën e kontributin tuaj të madh që keni dhënë,  po jepni e do të jepni, për mësimin  dhe edukimin e fëmijëve. Të gjithë mësuesit falë punës së palodhur dhe pasionit ndër vite kanë kontribuar në rritjen e cilësisë së arsimit dhe përgatitjen e brezave të rinj. Unë ju falënderoj për gjithçka që keni bërë në dobi të arsimit në Durrës por edhe për modelin pozitiv që mësuesit transmetojnë në komunitet. Dijet janë rruga e qëndrueshme drejt të ardhmes e mirëqenies. Prandaj gjithnjë e më shumë na takon ne që drejtojmë këtë qytet të kemi vëmendje e burime për shkollën dhe arsimin. Puna që ne bëjmë në mbështetje të arsimit është falenderimi më i mirë për kontributin e mësuesve. Kemi ndërtuar disa shkolla të reja me buxhetin e bashkisë ndërkohë që 10 të tilla janë rindërtuar nga procesi i rindërtimit dhe shumë të tjera janë në proces. Të gjitha këto shkolla ofrojnë kushte bashkëkohore dhe standarte evropiane për mësuesit dhe nxënësit. Ju që mbi çdo gjë keni vendosur edukimin e fëmijëve tanë. Durrësi është një qytet ku arsimi dhe kultura janë mjaft të zhvilluara.  Dhe kjo, falë punës dhe sakrificave tuaja dhe të të gjithë mësuesve të çdo kohe. Uroj të gjithë arsimtarët gëzuar 7 Marsin shëndet e jetë të gjatë dhe suksese në misionin tuaj të madh në edukimin e brezave të tërë. Në çdo ditë të jetës, ju dhe puna juaj fisnike do të kujtohen dhe vlerësohen me respekt e nderim të thellë.” Në këtë ceremoni kanë përshëndetuar edhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi, drejtoresha e DARP Ana Dhamo dhe deputetja e Durrësit Klodiana Spahiu duke uruar arsimtarët për përkushtimin, pasionin, sakrificat dhe kontributin që ata japin në edukimin dhe arsimimin e brezave të tërë duke kryer një mision fisnik pasi mësimet e mësuesve  janë udhërrëfyes për rrugën e fëmijëve, për të ardhmen dhe për jetën e tyre. Në këtë ceremoni kryebashkiakja Sako u ka dhënë titullin “Mirënjohje e Qytetit” disa prej mësuesve të nderuar të Durrësit që kanë disa dekada që ushtrojnë profesionin e tyre në qytetin bregdetar me motivacionin: “Për kontributin e shquar në vite në fushën e arsimit, për konsolidimin e shkollës, për edukimin shkencor dhe atdhetar të shumë brezave të nxënësve, si shenjë vlerësimi dhe simbol i përkushtimit të figurës së ndritur të mësuesit”.