Printo

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit me rastin e 8 Marsit ka zhvilluar një vizitë në Qendrën për Shërbime Mbrojtëse, Fuqizuese dhe Emergjente për Fëmijën dhe Familjen. Ajo ka zhvilluar një takim me gratë e dhunuara që strehohen në këtë qendër dhe ka dëgjuar historitë e tyre. Me këtë rast kryebashkiakja Sako ka dhënë edhe një mesazh: “Të jemi të gjithë bashkë kundër dhunës ndaj grave në familje e shoqëri, ky është mesazhi më i mirë që duhet të përcjellim në këtë 8 mars. Ishim në një takim me zonja, që ndanë me njëra-tjetrën forcën që i karakterizon, që u angazhuan të bëjnë historitë e tyre shembull për të ndërgjegjësuar edhe gra të tjera të gjejnë forcë për t’i thënë JO DHUNËS! Histori jete, ishin ato që dëgjova. Histori të heroinave të heshtura, atyre që përballen çdo ditë me dhunën në familje, por që ia kanë dalë t’i thonë NDAL! Ne e kemi për detyrë që tu qëndrojmë pranë dhe tu ofrojmë në qendrën tonë mjedise shëruese për familjet, me fokus te veçantë fëmijët dhe gratë që largohen nga një situatë e rrezikshme. Por misioni ynë dhe i gjithë shoqërisë është të parandalojmë dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave dhe për këtë duhet të luftojmë çdo ditë.” Në këtë 8 mars Bashkia e Durrësit mbështet edhe fushatën “Këpucët e Kuqe” e organizuar nga regjisorja dhe aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu”që ka në fokus pikësht këtë kauzë. “Këpucët e kuqe” është fushatë kundër dhunës ndaj grave në familje e shoqëri. Teatri "Aleksandër Moisiu" me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit për të rritur ndërgjegjësimin e për të kujtuar të gjitha gratë e vajzat që nuk janë më, vendosën instalacionin me "Këpucët e Kuqe" që janë mbledhur nga gratë e qytetit në shkallët e galerisë së artit "Nikolet Vasia”. Po kështu janë ekspozuar përpara galerisë edhe posterat me tetë aktoret. Regjisorja Driada Dervishi ka xhiruar tetë histori të vërteta të grave të dhunuara, të cilat vijnë nga aktoret e trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, por dhe të ftuara që i janë bashkuar kësaj kauze. Kjo premierë shfaqet në faqen e teatrit pikërisht në 8 mars. Janë "8 histori të vërteta të 8 grave", që kanë pësuar ose kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje.