Printo

Bashkia e Durrësit po përgatitet për nisjen e sezonit turistik duke ndërmarrë një sërë masash për të patur një sezon më të mirë se viti i kaluar. Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka inspektuar punët që po kryhen në bregdetin e Durrësit për pastrimin, lirimin e sistemimin e hapësirave publike. Kryebashkiakja Sako deklaroi se pas këtyre punimeve të para do të kryhen edhe dezinfektimi dhe plugimi i rërës. Kryebashkiakja Sako deklaroi se përveç turizmit të rërës dhe detit Durrësi synon një turizëm gjithëvjetor duke patur parasysh trashëgiminë e pasur kulturore të qytetit: “Durrësi nuk ka vetëm turizmin e rërës dhe të detit por ne synojmë që nëpërmjet edhe disa projekteve të rëndësishme të nxjerrim në pah dhe të promovojmë vlerat e trashëgimisë kulturore në mënyrë që të kemi një sezon turistik gjithëvjetor në qytetin tonë. Në këtë kuadër mund t’ju bëj me dije për dy projekte mjaft të rëndësishme si ai për amfiteatrin dhe projekti tjetër është Programi i BE për trashëgiminë kulturore i cili ka në plan që 8 objekte nga qyteti i Durrësit do të rikonstruktohen, rivitalizohen si dhe do të futen në guidat ndërkombëtare.” Kryebashkiakja Sako deklaroi se duke patur parasysh vaksinimin masiv i cili ka nisur e po kështu edhe planin e qeverisë për të vaksinuar të gjithë punonjësit e hotelerive parashikohet që sezoni turistik i këtij viti të jetë i lehtësuar. Sa për raportin midis plazheve private e publike kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako u shpreh se mendohet që ai të jetë i njëjtë me atë të vitit të kaluar.