Printo

Është përkujtuar në Durrës 82 vjetori i rezistencës ndaj pushtimit italian. Në ceremoninë e zhvilluar në përputhje me protokollin shëndetësor merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Roland Nasto, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, deputetë, veteranë dhe qytetarë durrsakë të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule. Kryebashkiakja Sako u shpreh se Shqipëria ishte një vend i pasur me gra e burra idealistë dhe në 7 prill 1939 në Durrës u dëgjuan krismat e para antifashiste në Evropë, ndërkohë që e gjitha bota rrezikohej nga fashizmi. Sipas kryebashkiakes Sako kjo datë shënon edhe aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij e bija që, duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e tij dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste. Fjalën e rastit në këtë ceremoni përkujtimore e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili deklaroi: “Historia shenjohet përmes datash që nguliten në rrjedhë të kohërave për të mirë a për të keq. Ka data që në ndërrim të brezave ndryshojnë dhe vlerësim. Ka data që nuk ndryshojnë kahje kurrë. I tillë është 7 prilli i vitit 1939, një datë e zezë për Shqipërinë e për Europën: vendi i vetëm në kontinent që u pushtua para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore. Ishte hera e parë që Shqipërisë, shtetit më të ri në Europë, i shpallej zyrtarisht luftë dhe akti i gjendjes së luftës përmbyllej me pushtim. Shqipëria u pushtua brenda dy ditësh, por denjësia e saj nuk mbeti pa zot. Atdhetarët shqiptarë, me uniformë e pa uniformë, nën armë e vullnetarë, me komandë e pa komandë, bënë rezistencën e parë dhe i treguan botës se cili ishte vullneti i këtij populli. Ky shesh ku jemi mbledhur është dëshmitar i një prej qendresave më të hershme antifashiste në botë. Dhe ky fakt është në nderin e këtij vendi. Mbi antifashizmin është ngritur morali politik botëror i 82 vjetëve dhe këto themele mbeten të patundura për sot e për mot. Fati i Europës së re është i pandashëm prej antifashizmit. Prandaj 7 prilli është dhe një datë prove e krenarie, sepse në këtë vend antifashizmi e manifestua disa vite para se të themelohej Karta e Antifashizmit, Karta e Atlantikut, Karta e Aleancës së Madhe. Ky shesh ka parë shumë e ka dëgjuar shumë. Që nga zbarkimi i ushtrive të Pompeut deri në luftën antifashiste, mbi 60 ushtri të huaja kanë provuar të hyjnë nga kjo portë. Pushtimet kanë qenë kalimtare, ushtritë po ashtu, kurse populli jetoi e mbijetoi. Historia e Shqipërisë merr kuptim e mburrje jo nga numri i ushtrive që e kanë rrezikuar, por nga fuqia e mbijetesës. Prandaj ne në këtë ditë i drejtojmë nderimin tonë jo vetëm atij brezi që kundërshtoi pushtimin e huaj, jo vetëm atyre brezave që kanë qenë mburoja e fateve të popullit, por bashkë me ta edhe atyre mijëra e mijëra shqiptarëve padrejtësisht anonimë, që ndërtuan paqen dhe rendin shoqëror, atyre që e kanë lënë gjurmën historike të vetes në trashëgiminë materiale e jomateriale shqiptare, në pamjen e dukshme e të padukshme të qytetit tonë e të gjithë Shqipërisë. Ne e kemi për detyrë të qendrojmë besnikë në parimin e antifashizmit, që është zgjedhja e shekullit. Kjo na impenjon të nderojmë ju, që jeni dëshmitarët e asaj epoke; të lartësojmë shenjat e kujtesës, të historizojmë të shkuarën duke e shprehur në përmendore. Historia është e prirur ta fshehë vetveten. Ne kemi nevojë ta dekriptojmë brendinë e saj. Ne na duhet të dëshmojmë para së ardhmes ato që dimë për të shkuarën e afërt e të largët. Harresa e një brezi, indiferenca e një kohe, mund të ketë pasoja në vlerësimin dhe autostimën e një populli. Ne nuk kemi luks të lëmë në dorë të rastësisë çfarë të kujtojmë e çfarë t'ia lëmë harrimit. Na duhet kujtesa historike jo për ta kthyer në një institucion lavdie e vetëmburrjeje. Ajo për ne nuk është qëllim në vetvete. Ndryshe do ta kthenim kujtesën në një mur që ndan të ardhmen nga e shkuara. Kush sheh prapa, shkon prapa, thoshin filozofët antikë. Ne duam të ndërlidhim kohët duke i kthyer shenjat e kujtesës në vija që shohin nga e ardhmja. Sot është dita që të kujtojmë se qendresa shqiptare e 7 prillit, antifashizmi i këtij populli, e fituan vlerën e tyre kombëtare e ndërkombëtare qysh se Shqipëria u shpall fuqi aleate fitimtare. Por edhe të kuptojmë se e sotmja dhe e ardhmja europiane nuk do të mund të mendoheshin nëse Shqipëria do të ishte gjendur në një krah tjetër.Vlera më e madhe e antifashizmit në Shqipëri është pikërisht në faktin që shërben e do të shërbejë si themel i një të ardhmeje që e duam të gjithë. Le të bashkojmë sot, në këtë ditë nostalgjie për brezin e protagonizmit antifashist, vetëdijen tonë kritike për të shkuarën, zotësinë e reflektimit historik, qytetarinë dhe vlerat tona të lartësimit dinjitar të vetvetes në luftë e në paqe, në shtetbërje e shtetmbrojtje, në promovimin e kodit të identitetit shqiptar dhe në europianizimin e mënyrës së të menduarit, të jetuarit, të qeverisurit, të modelimit të shtetit të së drejtës. Kjo ditë u jep shqiptarëve të drejtën të ndihen në të njëjtën lartësi me popujt e Evropës antifashiste, i jep kuptimin e nderimit shtetëror të qëndresës së ditës së parë. Falë kësaj qëndrese shqiptarët treguan që nuk janë kapitullantë edhe kur gjenden në momënte braktisjeje e harrimi. Le të jetë kjo ngjarje që na bashkon edhe një ftesë për të përfituar prej më të mirave tona në histori.” Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotët e tjerë nga Durrësi por edhe nga qytete të tjera ishin të parët që e pritën me pushkë pushtuesin fashist dhe në këtë luftë ra hero Ulqinaku por edhe dëshmorë të tjerë. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri edhe jetën e tyre për lirinë e vendit.