Printo

Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Bashkinë e Barit dhe Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Bari kanë organizuar një sërë eventesh në përkujtim të 30 vjetorit të zbarkimit të 20 mijë emigrantëve shqiptarë të cilët u nisën me anijen “Vlora” drejt portit të Barit, Itali. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, ka çelur konferencën për shtyp organizuar me këtë rast ku ka deklaruar se 3 dekada më parë personat në bordin e anijes "Vlora" shkruan historinë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë dhe se sot 30 vjet më pas gjithçka ka ndryshuar pasi prania e shqiptarëve në Itali është pjesë e jetës shoqërore italiane. Në këtë Konferencë morën fjalën përshëndetëse edhe Fabrizio Bucci, Ambasador i Italisë në Shqipëri, Gentiana Mburimi, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari si edhe Ines Pierucci, Këshilltare e Kryetarit të Bashkisë së Barit për Kulturat. Ishin të pranishëm edhe përfaqësues të delgacioneve respektive të Barit, përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin/IOM, artistë etj. Konferenca për shtyp u pasua nga çelja e dy ekspozitave fotografike: Ekspozita “IntegrAzione/IntegrIm”, me foto të eksodit shqiptar të realizuara nga fotografi italian Vittorio Arcieri dhe Ekspozita “Obiettivo oltre: Immagini del contributo delle done albanesi in Puglia”, me foto të emigrantëve shqipatarë në Bari, të realizuara nga fotografja shqiptare Eva Meksi. Më tej Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të veprës monumentale SONO PERSONE/JANË NJERËZ | 8.8.1991, të ideuar nga artistja italiane Jasmine Pignatelli dhe e vendosur në shëtitoren Taulantia, në përkujtim të asaj ngjarjeje të 30 viteve më parë dhe si një homazh për figurën e Enrico Dalfino, ish kryebashkiakut të Barit të asokohe, i cili hapi jo vetëm dyert e portit, por edhe dyert e qytetit të Barit. Në këtë Ceremoni morën pjesë Fabrizio Bucci, Ambasador i Italisë në Shqipëri, Gentiana Mburimi, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari, Ines Pierucci, Këshilltare e Kryetarit të Bashkisë së Barit për Kulturat, përfaqësues të delegacionit të Barit, përfaqësues të autoriteteve qeverisëse, deputetë, personalitete të artit dhe kulturës nga Shqipëria dhe nga Italia. Në fjalën e saj kryebashkiakja e Durrësit deklaroi ndër të tjera se: “Ky është një moment shumë i rëndësishëm historik i shekullit të kaluar përsa i emigrimit më të madh në vendin tonë. Qytetarët e Shqipërisë, në atë kohë, morën guximin e filluan të mbërrinin në brigjet puljeze, jo si turistë, për të parë Italinë, po si emigrantë. 3 dekada më parë personat në bordin e anijes "Vlora" shkruan historinë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë. Ishte fillimi i një epoke të re. Fillimi i ndryshimeve që tronditën Shqipërinë dhe Italinë. Sot 30 vjet më pas gjithçka ka ndryshuar. Komuniteti shqiptar konsiderohet si një vlerë e shtuar dhe pjesë aktive e shoqërisë italiane. Janë gjysmë milion shqiptarë, që sot jo vetëm jetojnë, punojnë, por edhe kontribuojnë në ekonominë italiane. Janë me mijëra të rinjtë që studiojnë në universitetet italiane.Shqiptarët që u larguan u bënë qytetarë dinjitozë dhe të respektuar në vendet ku jetojnë prej dekadash. Po ashtu i shkolluan fëmijët, duke punuar ditë e natë. Bijtë e lindur edhe në tokë të huaj u bënë trashëgimtarë të denjë të prindërve të tyre punëtorë, por edhe përfaqësues të Shqipërisë nga ku vijnë. Muzikantë, shkrimtarë e poetë, mjekë, juristë, sportistë kampionë, shkencëtarë, pedagogë, e plot profesionistë të tjerë, të cilët thonë me krenari prejardhjen e tyre. Jo pak prej tyre mes dhjetra sfidash vijnë për të organizuar shfaqje e koncerte, duke u bërë pasqyra e sukseseve që kanë në të gjithë botën por që gjithmonë e kthejnë kokën nga atdheu i tyre.Shqipëria është sot një vend modern që është gati të hyjë në Europë. Tashmë ne na takon që të forcojmë edhe më shumë lidhjet mes dy vendeve tona për më shumë punë dhe projekte të përbashkëta në dobi të qytetarëve tanë, prosperitet dhe thellim i bashkëpunimit në shumë fusha të rëndësishme. Jam shumë e lumtur sot që përurojmë memorialin "Sono persone", e cila merr shkas edhe nga fjalimi i famshëm i Kryetarit të Bashkisë së Barit të asaj kohe, Enrico Dalfino, i cili hapi jo vetëm dyert e portit, por edhe dyert e qytetit të Barit për mikpritjen dhe integrimin e emigrantëve shqiptarë.Fraza është shqiptuar nga kryebashkiaku i atëhershëm:“Janë njerëz, njerëz të dëshpëruar. Nuk mund ti kthejmë pas, ne jemi shpresa e vetme e tyre”. Gjej rastin këtu të falenderoj Jasmine Pignatelli që ka krijuar të dyja skulpturat si edhe z. Giusepe Dalfino, i biri i Enrico Dalfino, që na ka mbështetur në përfundimin me sukses të kësaj vepre me rëndësi historike. Kjo skulpture vendoset në Shëtitoren "Taulantia", përballë me binjaken e saj në shëtitoren e Barit, qytet ku ne do të jemi në 8 gusht për ceremoninë e rastit. Vendosja e këtyre skulpturave përballë njëra tjetrës, përkujtojnë jo vetëm atë që ndodhi 30 vjet më parë por janë simbol i vazhdimësise së dialogut kulturor dhe marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy qyteteve dhe shteteve tona që lagen nga i njëjti det, deti Adriatik, deti i cili nuk na ndan por na bashkon gjithnjë e më tepër. Në këtë moment dua të them veçse faleminderit për të gjithë ata italianë, njerëzit e thjeshtë, që hapën dyert e pritën ata të panjohur, duke treguar shpirtin e zemërgjerësisë dhe solidaritetit të popullit italian dhe institucioneve të tyre.” Gjithashtu, në këtë Ceremoni morën fjalën përshëndetëse edhe Giuseppe Dalfino, djali i ish kryebashkiakut të Barit Enrico Dalfino, Jasmine Pignatelli, artistja dhe ideatoria  e veprës monumentale “Sono Persone”, Claudio Polignano, Përfaqësues i ‘Regione Puglia’ në Tiranë si dhe Florian Vlashi, violinisti i njohur shqiptar me famë ndërkombëtare. Ky Event u përmbyll me shfaqen teatrale “La nave dolce”, në Amfiteatrin e Durrësit, produksion i TIB Teatro. Kjo shfaqe teatrale bazohet në filmin dokumentar që flet për eksodin shqiptar të viteve ’90