Në zbatim të Kalendarit të Dëgjesave Publike për buxhetin vjetor 2021 dhe Programin Buxhetor Afatmesëm 2022-2024 si dhe në kuadër të "Transparencës Publike", Bashkia e Durrësit zhvilloi në Njësinë Administrative Rrashbull dëgjesën publike të radhës mbi katër programet buxhetore për Njesitë Administative Rrashbull dhe Katund i Ri:

-Programi i Paketës Fiskale,

-Programi i Infrastrukturës Rrugore dhe Transportit Publik

-Programi i Arsimit parashkollor dhe parauniversitar

-Programi i Strehimit dhe Shërbimit Social

Takimin e hapi Kryetarja e Bashkisë Durrës, Znj.Emiriana Sako e cila gjatë fjalës së saj theksoi investimet e kryera në zonën e Rrashbullit dhe Katundit të Ri  në kuadër të procesit të Rindërtimit si dhe ato që do të kryhen gjatë 3 viteve  të ardhshme duke theksuar zgjidhjen e problemit të mbetjeve si dhe atë të pastrimit të kanaleve kulluese për të paraprirë përmbytjet në këto zona.

Më tej dëgjesa vazhdoi me prezantimet e katër Programeve Buxhetore të cilat u prezantuan nga ana e Drejtorëve të Drejtorive përkatëse të Bashkisë Durrës .Pas prezantimit të këtyre programeve fjalën e morën qytetarë dhe ttë pranishmit në sallë të cilët diskutuan rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet , dhe duke parashtruar ankesat  dhe sugjerimet e tyre.

Kjo Dëgjesë Publike u organizua nga Sektori i Analizës së Statistikave dhe Planifikimit Afatmesëm në Drejtorinë e Politikave të Zhvillimit dhe Integrimit Europian, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve dhe Punëve Publike, Drejtorinë e Shërbimeve Sociale, Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore si dhe me Drejtorinë e Arsim-Kulturë, Rini, Sporte dhe Komunitete Fetare.

Në këtë takim  kishte një pjesëmarrje të gjërë ku të pranishëm ishin  përfaqësues nga komuniteti i Njësive Administrative Rrashbull dhe Katund i Ri, përfaqësues të grupeve të interesit, Institucioneve Arsimore, OJF që operojnë në këto Njësi Administrative si dhe përfaqësues të biznesit.