Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar një tjetër rrugë të re nën moton “Durrësi nuk ndalet më”. Rruga e tankeve në zonën e Spitallës ka përfunduar pas 5 muaj punimesh që kanë përfshirë punimet nëntokësore të kanalizimeve si dhe shtrimin e asfaltimin, ndricimin dhe gjelbërimin. Kryebashkiaku Dako në këtë përurim deklaroi se kjo rrugë do të lehtësojë jetesën e një komuniteti të tërë që banon në këtë zonë dhe që kishin si problem kryesor pikërisht këtë rrugë. Në fushatën e tij elektorale Dako e kishte premtuar rikonstruksionin e kësaj rruge gjë që u realizua tashmë. Kryebashkiaku Dako ëshët shprehur se përmirësimi i infrastrukutrës së qytetit është një prioritet i Bashkisë së Durrësit : “Ka qenë një premtim yni elektoral që të shtronim këtë rrugë dhe në përgjithësi të përmirësonim të gjithë infrastrukturën e qytetit për të lehtësuar jetesën e banorëve. Kemi punuar intensivisht dhe e kemi prioritet përmirësimin e kësaj infrastrukture dhe kemi arritur rezultate shumë të mira deri tani ndërkohë që puna do të vazhdojë intensivisht. Ajo që dua të theksoj për punën në këtë rrugë është fakti që të gjithë banorët e zonës së bashku me Bashkinë gjetën konsensus për prishjen e më shumë se 30 objekteve pa leje që ngushtonin rrugën. Në këtë mënyrë banorët e zonës për hirë të interesit të të gjithë komunitetit u bashkëpunuan dhe ndihmuan punën e Bashkisë e tashmë kjo rrugë do tu shërbejë atyre duke ndikuar në rritjen e cilësisë s ëjetës në këtë zonë”. Rruga e përuruar është me gjatësi 600 metra dhe gjerësi 7 metra. Fondi për këtë rrugë është i Bashkisë dhe ka vlerën e 27 milion e 500 mijë lekë të rinj ku përvec të gjitha punimeve për kanalizime dhe asfaltime janë kryer edhe ndricime dhe gjelbërimi. Kjo rrugë ka qenë mjaft problematike për këtë zonë ndërkohë që tashmë ajo krijon lehtësira të mëdha për lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve.