Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar një tjetër rrugë të re nën moton “Durrësi nuk ndalet më”. Rruga aneks e rrugës Egnatia ka përfunduar bashkë me një aneks tjetër paralel me të pas 5 muaj punimesh që kanë përfshirë punimet nëntokësore të kanalizimeve si dhe shtrimin e asfaltimin, ndricimin dhe gjelbërimin. Kryebashkiaku Dako në këtë përurim deklaroi se kjo rrugë do të lehtësojë jetesën e një komuniteti të tërë që banon në këtë zonë. Në fushatën e tij elektorale Dako e kishte premtuar rikonstruksionin rrugëve edhe në zonat midis pallateve dhe blloqeve të banimit gjë që u realizua tashmë. Kryebashkiaku Dako ëshët shprehur se përmirësimi i infrastrukutrës së qytetit është një prioritet i Bashkisë së Durrësit : “Ka qenë një premtim yni elektoral që të shtronim rrugët dhe në përgjithësi të përmirësonim të gjithë infrastrukturën e qytetit për të lehtësuar jetesën e banorëve. Kemi punuar intensivisht dhe e kemi prioritet përmirësimin e kësaj infrastrukture dhe kemi arritur rezultate shumë të mira deri tani ndërkohë që puna do të vazhdojë intensivisht. Tashmë kjo rrugë do tu shërbejë banorëve duke ndikuar në rritjen e cilësisë së jetës në këtë zonë. Qytetarëve durrsakë nuk do tu shkelë më këmba në baltë por vetëm në mjedise të rregulta me asfalt dhe me lulishte të sistemuara”. Rruga e përuruar është me gjatësi 230 metra dhe gjerësi 8 metra. Fondi për këtë rrugë është i Bashkisë dhe ka vlerën e 9.5 milion lekë të rinj ku përvec të gjitha punimeve për kanalizime dhe asfaltime janë kryer edhe ndricime dhe gjelbërimi. Së bashku me këtë rrugë ka përfunduar tashmë edhe aneksi tjetër i rrugës Egnatia me gjatësi 100 metra dhe gjerësi 7 metra, me fond 3.5 milion lekë të rinj.