Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar fillimin e punimeve për rehabilitimin e shëtitores bregdetare Taulantia. E veçanta e kësaj zone të rikonstruktuar është se ajo do të jetë krejtësisht pedonale. Pas përfundimit të rikonstruksionit kjo shëtitore do të jetë mjaft moderne e në përputhje të plotë me vizionin evropian të Bashkisë së Durrësit për qytetin. Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako u shpreh se ky është një nga investimet më të rëndësishme që ndikon pozitivisht në imazhin turistik të qytetit: “Kjo është një shëtitore shmë e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Durrësit të cilët pas përfundimit të rikonstruksionit do të gjejnë në këtë shëtitore një ambient modern e shkodhës. Po kështu ky rikonstruksion do të ndikojë pozitivisht edhe në imazhin turistik të qytetit. Në këtë rikonstruksion do të kombinohen materiale shumë cilësore granit, ndriçime dekorativë të veçantë dhe punime druri gjë që do të japin një pamje tepër moderne kësaj shëtitoreje. Përvec këtij investimi Bashkia do të vazhdojë me intensitet investimet publike po kaq të rëndësishme në qytet për të krijuar një ambient sa të më të mirë për qytetarët e Durrësit”. I gjithë kuartalli për të cilin është kryer studimi ka një sipërfaqe prej rreth 15 000 metër katror nga të cilat 3000 metër katrot janë sipërfaqe që do të shtrohen me pllaka të veçanta gjatë gjithë gjatësisë prej 300 metër të kësaj shëtitoreje që do të rikonstruktohet. Fondi për këtë rikonstruksion është 49 866 343 lekë dhe firma zbatuese është D.A.E Konstruksion. Afati i përfundimit të punimeve do të jetë muaji nëntor i vitit 2010. Ky investim është në vazhdën e investimeve të rëndësishme që po kryen këtë vit Bashkia e Durrësit nën moton “më shumë ngjyra këtë vit për Durrësin”.