Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në mbjelljen e pemëve në rrugën Agimi në lagjen 18 me rastin e 22 prillit ditës ndërkombëtare të tokës. Mbjellja e pemëve në sajë të nismës së Bashkisë “Një jetë Një pemë” ka patur një shtrirje të gjerë në të gjithë Durrësin. Sezonin e kaluar Bashkia e Durrësit ka mbjellë rreth 1100 pemë të llojeve të ndryshme ndërsa në sezonin aktual Bashkia ka filluar punën dhe deri në muajin maj do të mbjellë 1300 pemë të llojeve të ndryshme si bli, rrap, kumbull e kuqe, panjë etj. Në këtë ditë ndërkombëtare të tokës në mbjelljen e pemëve në lagjen 18 së bashku me kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako u bashkua edhe një çift të sapomartuarish që së bashku mbollën simbolikisht një pemë. Kështu ky çift të sapomartuarish e nisën në mënyrë krejt origjinale jetën e tyre familjare duke mbjellë me kryebashkiakun Vangjush Dako një pemë pikërisht në kuadër të nismës “një jetë një pemë” në një atmosferë festive. Në fjalën e tij përshëndetëse kryebashkiaku Dako deklaroi se gjelbërimi është një prioritet i Bashkisë së Durrësit: “Një nga prioritetet e Bashkisë është shtimi i sipërfaqeve të gjelbëra në Durrës në funksion të një mjedisi sa më të pastër për qytetarët e Durrësit. Edhe ky vit do të vazhdojë të jetë vit i gjelbërimit të rrugëve dhe lulishteve të Durrësit. Gjatë gjithë mandatit tim do të vazhdojë pareshtur mbjellja e sa më shumë pemëve pasi mjedisi është një nga prioritetet tona kryesore që i shërben vizionit të një qyteti turistik evropian.” Në këtë ditë ndërkombëtare të tokës me nismën e Bashkisë është bashkuar edhe patrtia për drejtësi dhe unitet ku të rinjtë e kësaj partie së bashku me kreun e saj Shpëtim Idrizi së bashku me kryebashkiakun Dako mbollën disa palma në shëtitoren Taulantia. Në këtë ceremoni me nismën e Bashkisë u bashkua edhe kreu i qarkut të Durrësit Seid Kërtusha. Kryebashkiaku Dako gjatë kësaj ceremonie në shëtitoren Taulantia deklaroi se nisma e Bashkisë për të gjelbëruar sa më shumë Durrësin është e hapur për bashkëpunimin e të gjithëve sepse qyteti është i të gjithë qytetarëve të Durrësit që duan një qytet sa më evropian. Kjo mbjellje pemësh është kryer pikërisht në ditën e tokës që në mbarë botën shërben për sensibilizimin në lidhje me një mjedis të pastër. 22 prilli është dita e tokës, ngjarje globale, që filloi në vitin 1970 dhe nga shumë njerëz njihet si një ngjarje që i dha hov një lëvizjeje të re për mbrojtjen e mjedisit.