Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim nënkampionin e Evropës në mundje Sahit Prizreni. Mundësi i teutës që mori medaljen e argjendtë në Evropianin e Dortmundit shoqërohej në takim nga trajneri i tij, i mirënjohuri Fuat Brahi dhe shefi i klubit shumësportësh Teuta Emiljan Jani. Kryebashkiaku Vangjush Dako ka përshëndetur nënkampionin e Evropës Prizreni për rezultatin e arritur dhe për faktin që ngriti lart flamurin e Shqipërisë në një aktivitet kaq të rëndësishëm. Midis të tjerash kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit do të jetë gjithmonë në ndihmë të sporteve e sidomos të atyre që arrijnë rezultate kaq të larta: "Ishte sukses shumë i madh për të gjithë vendin dhe ndihemi krenarë që një mundës shqiptar ngriti lart flamurin kombëtar në një aktivitet kaq të rëndësishëm. Bashkia e Durrësit gjithmonë ka mbështetur sportet por unë ju premtoj se në mandatin e dytë kemi përcaktuar detaje konkrete për mbështetjen e të gjitha sporteve e sidmos të mundjes ku kemi planifikuar edhe përmirësimin e infrastrukturës së këtij sporti. Po kështu do të mbështesim dhe ndihmojmë të gjithë ata sportistë që arrijnë rezultate kaq të larta." Prizreni nga ana e tij i cili është një mundës i Durrësit ka falenderuar kryebashkiakun Vangjush Dako për pritjen dhe u shpreh i nderuar nga ky takim që tregon përkrahjen e Bashkisë së Durrësit për këtë sport si dhe sportistët cilësorë. Prizreni u shpreh i bindur se kryebashkiaku Dako do të bëjë akoma më shumë për këtë sport por në përgjithësi për sportin e qytetit në vazhdim të mandatit të tij. Prizreni u shpreh se do të kërkojë sërish rezultate të larta edhe në olimpiadën e ardhshme. Mundësi shqiptar, Sahit Prizreni, u rendit i dyti në Europë për peshat deri 60 kilogram, pas një paraqitje të mirë në Europianin e Dortmundit. 28-vjeçari mori medaljen e argjendtë, pasi në finale u mposht nga rusi Opan Sat, kampion i kontinentit për të dytin vit radhazi. Prizreni mundi në rrugën drejt finales italianin Rizoto dhe gjermanin Evald. Gjysmëfinalja me ukrainasin Vasil Fedorishin ishte shumë e ekuilibruar, por mundësi ynë kaloi në finale falë pikëve teknike të marrë nga juria. Me këtë rezultat, Prizreni shpallet si mundësi më i suksesshëm shqiptar në historinë e kampionateve europiane.