Bashkia e Durrësit vijon investimet intensive për ta shndërruar qytetin bregdetar në një zonë të zhvilluar turistike. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka përuruar përfundimin e punimeve të rrugës së re të plazhit nga Frigorifer në Unazë me emrin “Dhimitër Kraja”. Kjo rrugë është nyje e rëndësishme e një tjetër rruge në zbatim të projektit “ Frigoriferi – Dogana e Tokës”, që është një arterie e re që hapet për të lidhur zonën e Shkozetit me atë të Plazhit me një gjatësi rruge rreth 882 metra lineare. Sipas kryebashkiakut Dako, përfitimet e pritshme të realizimit të këtyre investimeve janë me karakter ekonomik dhe sociale për rreth 650 familje dhe mbi 20 biznese . “Investimi i arteries rrugore “ Frigorifer – Unazë”, është në vazhdim të mbi 70 investimeve të tjera të realizuara nga Bashkia e Durrësit në infrastrukturën rrugore. Ky investim është realizuar vetëm me fondet e Bashkisë Durrës me vlerë 30 045 059 lekë . Zbatimi i këtij projekti ka bërë të mundur shtrimin e 4559 m2 sipërfaqe dhe është realizuar sistemimi i ujrave të bardha 1413 metër linearë. Me realizimin e ketij investimi permiresohet infrastruktura lidhëse e zonës turistike të Durrësit duke bërë më të lehtë mbërritjen e turistëve në Plazh », ka nënvizuar Dako. Kryebashkiaku ka deklaruar se investime të tjera do të ketë në qytetin e Durrësit, pasi, sipas tij, “e vetmja rrugë për zhvillimin e qytetit tonë është PUNA” !