Afrimi i sezonit turistik e gjen qytetin bregdetar dhe plazhet e tij në përpjekje për të mundësuar një stinë tërheqëse jo vetëm në burimet që pozicioni gjeografik dhe natyra ofron, por edhe në dëshirën për të thithur sa më shumë turistë të huaj dhe vendas. Ndërmarrja Komunale e Plazhit pranë bashkisë së Durrësit ka nisur largimin përfundimtar të leshterikut duke vazhduar me pastrimin tërësor të plazhit që i hap rrugën edhe plugimit dhe dezinfektimit të gjithë sipërfaqes së rërës. I pranishëm në fillimin e pastrimit tërësor të plazhit ishte dhe kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili ka inspektuar punën e bërë. Kryebashkiaku Dako deklaroi se po punohet intesivisht në plazhin e Durrësit me qëllim që sezoni turistik të shkojë sa më mirë. Dako, deklaroi se po punohet për ti paraprirë të gjithë problemeve të mundshme, ku prioritet i është dhënë krijimit të kushteve sa më të mira për të gjithë pushuesit ku këtë vit është shtuar edhe një plazh publik më shumë duke u bërë kështu katër plazhe publikë që do të presin pushuesit: “Turizmi është një nga prioritetet kryesore të Bashkisë sonë. Po punojmë me intensitet për krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë turistët vendas dhe të huaj që do të vizitojnë Durrësin gjatë këtij sezoni turistik. I kemi marrë masat e nevojshme për pastrimin e plazhit por gjithashtu mund tju them se ne po krijojmë kushte pritjeje dhe akomodimi optimale për të gjithë pushuesit. Ne si bashki jemi angazhuar që të kemi një sezon turistik të suksesshëm, sa më pranë kërkesave të turistëve të shumtë që pritet të vizitojnë qytetin tonë këtë verë.” Plazhi i Durrësit, mbetet një nga më të frekuentuarit në vend nga pushues të shumtë ku edhe për këtë vit pritet të shënojë një numër rekord pushuesish. Aktualisht ka përfunduar krehja e rërës së plazhit në 17 hektarë, ndërsa është në përfundim grumbullimi i leshterikëve. Këtë verë do të ketë një numër më të madh koshash rëre për të mundësuar një brez më të pastër ranor. Koshat do të vendosen me një largësi prej 40 metrash larg nga njëri-tjetri përgjatë plazhit të madh që shtrihet nga Ura e dajlanit deri në Plepa. Ndërkohë, deri më 15 maj të gjithë kazanët e mbeturinave urbane do të jenë në funksion, pas riparimit të tyre. Brenda një muaji është parashikuar të përfundojë dizinfektimi i rërës dhe plugimi i saj në një thellësi deri 40 centimetra, për të shmangur insektet dhe infeksionet që mund të shkaktohen nga papastërtitë e grumbulluara në rërë gjatë këtyre muajve. Tashmë ka përfunduar riparimi i mjeteve të ndërmarrjes të cilat do të jenë në gadishmëri të plotë për t’iu përgjigjur një sezoni që pritet të jetë i ngarkuar me pushues dhe aktivitete, ndërsa me urdhër të kryetarit të bashkisë Vangjush Dako ndërmarrja komunale e plazhit gjatë sezonit turistik do të punojë me dy turne për të siguruar sa më shumë pastërti në zonën e plazhit duke iu përgjigjur në kohë nevojave të turistëve. Për të shmangur pluhurin rruga e plazhit do të laget në mëngjes dhe pasdite, ndërsa mbeturinat do të hiqen disa herë gjatë ditës. Punonjësit e ndërmarrjes do të punojnë me dy turne nga 1 maji deri më 15 shtator kur sezoni konsiderohet i mbyllur. Durresi eshte zona me e rendesishme e vendit per turizmin masiv dhe ate elitar. Pervec turizmit te banjove diellore Durresi ofron, turizmin kulturor per shkak te trashegimise historike dhe kulturore qe ka ky qytet. Krahas objekteve te shumta arkeologjike, qyteti i Durresit ofron dhe shume objekte te tjera historike dhe kulturore me rendesi per t’u vizituar. Ne teresi qyteti i Durresit perben nje ansambel shume te rendesishem historik dhe kulturor te Shqiperise ndaj edhe Bashkia e Durrësit që e ka prioritet zhvillimin e turismi po krijon të gjitha kushtet për akomodimin e mijëra turistëve që pritet të vizitojnë qytetin këtë sezon.