Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim delegacionin e biznesit polak që po viziton këto ditë vendin tonë të kryesuar nga zëvendësministri i ekonomisë së Polonisë Rafal Baniak. Delegacioni ndodhet në Shqipëri për të marrë pjesë në Forumin e përbashkët të biznesit polako-shqiptar, ku marrin pjesë rreth 25 biznese polake dhe dhjetëra biznese shqiptare. Delegacioni shoqërohej nga ambasadorja polake në Tiranë Irena Tatarzyńska. Kryebashkiaku Vangjush Dako e ka njohur delegacionin polak me një panoramë të përgjithshme të resurseve turistike që ofron qyteti ynë si dhe i ka prezantuar atyre me perspektivat ekonomike të qytetit të Durrësit. Dako u shpreh se vizioni për qytetin është ai drejt një qyteti sa më evropian dke zhvilluar ekonominë por edhe turizmin që është prioriteti bazë i zhvillimit të qytetit. Kryebashkiaku Dako e ka njohur delegacionin polak edhe me hapësirat e shumta ku mund të investojnë investitorët polakë në Durrës. Gjatë një bashkëbisedimi që zgjati më shumë një orë e 30 minuta biznesmenët polakë shfaqën interes në vecantë sidomos në fushën e hoteleri turizmit që kanë një terren zhvillimi optimal në Durrës. Kryebashkiaku Dako i njohu anëtarët e delegacionit me mundësitë e zhvillimit, prioritetet, mundësitë që ofron Durresi për invesitoret e huaj, mundësitë e bashkëpunimit me biznese polake si dhe me disa drejtime ku kërkohen investime edhe nga biznesi polak siç është turizmi, ndërtimi i një porti turistik, industria e lehtë që përfaqësohet më së shumti nga fasonët etj. Anëtarët e delegacionit polak kanë qenë mjaft të interesuar sidomos për bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe së bashku me kryebashkiakun Dako kanë shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit në disa drejtime ndërkohë që theksua dëshira e bashkëpunimit midis Bashkisë së Durrësit dhe disa bashkive polake në fusha të ndryshme. Zv/ministri polak i ekonomisë Baniak u shpreh se Durrësi oron shumë mundësi për biznesin polak që është mjaft i interesuar për këtë qytet. Ai e konkretizoi këtë duke u shprehur se kur kishte pyetur ambasadoren polake në Tiranë se cili ishte ai qytet me interes për biznesin pas Tiranës kishte marrë përgjigjen se ai qytet ishte Durrësi. Baniak shprehu gatishmërinë e qeverisë polake për të nxitur vëmendjen e biznesit polak në drejtim të qytetit të Durrësit që siç kishjin konstatuar vetë anëtarët e delegacionit ofronte shumë mundësi për investime sidomos në fushën e hoteleri turizmit. Takimi është zhvilluar në një atmosferë mjaft miqësore ku në fund të takimit kryebashkiaku Dako u ka dhuruar delegacionit polak simbolikat e qytetit të Durrësit që ka ngjallur mjaft interesim për këtë delegacion që pas kësaj vizite në Bashki ka vizituar edhe pikat e ndryshme turistike e arkeologjike të qytetit tonë. Pas takimit me delegacionin polak kryebashkiaku Dako ka zhvilluar një tjetër takim në zyrën e tij me njërin nga pjesëtarët e delegacionit polak, Maciej Nowicki i cili është drejtor i departamentit të zhvillimit rajonal dhe planifikimit të territorit në Bashkinë e Lubuskut. Në këtë takim kerybashkiaku Dako dhe Nowicki kanë biseduar konkretisht për mundësitë e bashkëpunimit midis Bashkisë së Lubuskut dhe Bashkisë së Durrësit në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, promovimin e vlerave të dy qyteteve si dhe bashkëpunime në disa fusha të zhvillimit ekonomik e turistik midis dy qyteteve.