Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadorin e Italisë në Shqipëri Saba D’Elia. Në këtë takim theksi i bisedës u vu tek bashkëpunimi i ngushtë midis vendit tonë dhe atij italian si një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë. Në takim merrnin pjesë edhe zyrtarë të tjerë vendorë si dhe përfaqësues të shoqatave të qyteteve të Shqipërisë së Mesme. Kryebashkiaku Dako deklaroi se Italia ka dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm në të gjitha fushat jo vetëm për qytetin e Durrësit por për të gjithë Shqipërinë: “Shqipëria është një partner i rëndësishëm i vendit tonë dhe i Durrësit në vecanti pasi dihet që ne kemi një sërë bashkëpunimesh të karakterit ekonomik, turistik dhe kulturor. Shteti italian që ambasadori D’Elia përfaqëson ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme dhe mbështetje maksimale për liberalizimin e vizave si dhe vazhdon të mbështesë vendin tonë në hyrjen në BE. Për kontributin në ndihmë të qytetit dhe vendit tonë ambasadorit D’Elia Bashkia e Durrësit dhe shoqata Durërsi i akordojnë titullin “Fisnikëria e Qytetit të Durrësit” . Më tej kryebashkiaku Dako u ndal në punën që bën Bashkia e Durrësit në përafrimin e qytetit bregdetar me qytetet evropiane: “Në lidhje me punën që bëjmë në qytetin tonë mund të them se ne kemi punuar në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës së qytetit që i jep një hov të ri zhvillimit të turizmit. Po kështu paralelisht i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë edhe projekteve sociale që Bashkia po i mbështet fuqimisht. Natyrisht ne vazhdojmë të punojmë në shumë drejtime duke qenë se jemi një qytet i cili ka dy drejtime zhvillimi paralele që është ai turistik por edhe ai industrial e natyrisht për këtë zhvillim nevojiten edhe shumë investime të huaja që ne i përkrahim. Në rrugën drejt Evropës për ne është shumë me vlerë eksperienca e vendeve të zhvilluara perëndimore që e kanë kaluar prej kohësh këtë proces në të cilin ne ndodhemi aktualisht. Gjithsesi unë shpreh bindjen se Durrësi ka bërë hapa përpara drejt përngjasimit të tij me një qytet evropian dhe do të vazhdojmë me këto ritme edhe në të ardhmen pasi qyteti ynë e meriton plotësisht të jetë një qytet pararojë e zhvillimit në rrugën drejt integrimit të vendit në BE.” Nga ana e tij ambasadori italian D’Elia ka falenderuar kryebashkiakun Dako për vlerësimin që i bëhet në Durrës dhe nga ana tjetër ka garantuar se ai do ët vazhdojë të japë kontributin e tij maksimal në propagandimin e vlerave të venit tonë si dhe në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona por edhe në promovimin e vlerave të shumta si dhe resurseve të qytetit të Durrësit. Më tej kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe ambasadori italian D’Elia kanë mbjellë një rrënjë ulliri si simbol i paqes me rastin e festës së ullirit që është tashmë një festë tradicionale e qytetit të Durrësdit e organizuar nga Shoqata Durrësi me mbështetjen e Bashkisë së qytetit. Në kuadër të kësaj feste kryebashkiaku Dako dhe ambasadori D’Elia kanë marrë pjesë në koncertin festiv ku ambasadori italian është nderuar edhe me cmimin “Fisnikëria e qytetit të Durrësit”. Ky cmim i është dhënë ambasadorit nga ana e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako me motivacionin : ”Për kontributin e dhënë në mbështetje të liberalizimit të vizave dhe integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian”. Në këtë aktivitet janë nderuar me çmimin “Nderi i Qytetit” edhe biznesmenët e njohur të qytetit durrsak Kadri Morina dhe Lavdosh Petoshati.