Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka nderuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit” (pas vdekjes) shkrimtarin e madh shqiptar por edhe profesorin e personalitetin e shquar në fushën e arsimit e të shkencës Bedri Dedja. Ky titull ju dha këtij personaliteti të letrave shqipe e sidomos të letërsisë për fëmijë në një ceremoni të vecantë me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij. Kjo ceremoni e zhvilluar në pallatin e kulturës së qytetit ishte organizuar nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me fondacionin “Bedri Dedja”, shoqata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe shoqata e miqësisë Shqipëri-Rusi. Në këtë aktivitet merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, personalitete të fushës së letërsisë e arsimit, shkrimtarë e poetë të njohur bashkëkohës e miq të shkrimtarit të madhe Bedri Dedja etj. Në ceremoni merrte pjesë edhe e bija e Prof. Bedri Dedjes, artistja Edlira Dedja, e cila plotësoi çmueshëm portretin njerëzor dhe familjar të Profesorit, në aspektin e tij prindëror. Në këtë aktivitet të ftuarit që e kanë marrë fjalën e kanë vënë theksin në vlerat e jashtëzakonshme të krijimtarisë së Pr. Dr. Bedri Dedja në të gjitha fushat që ai ka punuar e që përfshin përvec letërsisë edhe fushën e arsimit e të shkencës. Vlerat e veprës së Bedri Dedjes, ushqehen nga pasuria e madhe folkloristike tradicionale shqiptare, por kjo vepër ka energjinë dhe forcën t’i projektojë vlerat e këtij folklori drejt se ardhmes. Në këtë mënyrë, mesazhi që Dedja transmeton mbetet bashkëkohor dhe tërheq me shumë interes lexuesit e sotëm, fëmijë por dhe të rritur. Bedri Dedja është një figurë poliedrike: pedagogu, shkrimtari dhe përkthyesi, që me tregimet dhe romanet e veta ka ushqyer breza të tërë fëmijësh shqiptarë. Vepra e Dedjes në brazdën e traditës popullore shqiptare, gjen forcën dhe aftësinë të sjellë risi, duke e rilexuar atë pasuri me sytë e sotëm dhe duke e projektuar drejt së ardhmes për t’u folur edhe fëmijëve të ditëve tona. Pikërisht këtij personaliteti të njohur shqiptar kryebashkiaku Vangjush Dako pasi ka vlerësuar veprën e kësaj figure të shquar e ka nderuar atë me titullin “Mirënjohja e Qytetit” me motivacionin “Personalitet i shquar në fushën e arsimit, shkencës, kulturës e letërsisë shqiptare, për ndihmesën e veçantë dhe lidhjet e pandërprera shpirtërore dhe jetësore me komunitetin durrsak”. Kryebashkiaku Dako ja dorëzoi titullin të bijës së shkrimtarit Edlira Dedja. Vepra Bedri Dedjes, e cila vlerësohet për mbartjen dhe transmetimin e mesazheve dhe vlerave universale, u krijua në një kohë kur demagogjia dhe ideologjia në Shqipëri kishin infektur çdo fjalë të shkruar dhe të publikuar. E megjithatë, Bedri Dedja, kapërceu muret e ngushta të ideologjisë për të përcjellë tek fëmijët, qytetarët e rinj shqiptarë të viteve ‘70-‘80, vlera të vërteta edukuese. Në kuadrin e vlerësimit dhe ridimensionimit të veprës se Bedri Dedjes, romani i tij i fundit, “Presidenti i Planetit te Kuq” i konsideruar si testamenti letrar i autorit, është duke u përkthyer në italisht nga publicistja italiane me origjine arbëreshe, Caterina Zuccaro, gazetare e RAI (Radio-Televizioni Italian) dhe bashkëpunëtore e shumë gazetave të sotme italiane me impakt të lartë. Vepra e Dedjes është ftesë për të ruajtur brenda nesh zemrën e fëmijës së dikurshëm; ishte pikërisht zemra e fëmijës që ai e ruajti brenda vetes, e cila e shndërroi Bedri Dedjen në monument të letërsisë për fëmijë, dhe jo vetëm për fëmijë.

Biografia

Bedri Dedja, akademik dhe profesor në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, ka qenë një personalitet shumëplanësh në krijimtarinë letrare shqiptare për të vegjëlit dhe atë shkencore për të rriturit: poet e prozator, përrallëtar e dramaturg, tregimtar e publicist, novelist e romancier, përkthyes, gazetar e kritik, studiues i psikologjisë, pedagogjisë e historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, studiues e teoricien i historisë së letërsisë shqiptare për fëmijë. Fitues i shumë çmimeve letrare, "Qytetar Nderi" i Beratit, mbajtës i "Çmimit të Republikës", "Urdhërit Naim Frashëri" dhe titullit "Mjeshtër i Madh". Bedri Deja është vlerësuar gjithashtu nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë vend në Vëllimin e XVI të biografive si autor i shquar i shekullit XX. Bedri Dedja është lindur në Korçë më 20.11.1930. Shkollën fillore e kreu në Shkodër ndërsa shkollën e mesme e ka kryer në Gjimnazin «16 Shtatori» të qytetit të Durrësit. Në vitin 1949 u dërgua me bursë shteti për studime të larta në Moskë, ku më 1953 u diplomua shkëlqyeshëm dhe mori diplomën e arsimit të lartë në dy degë paralele: të psikologjisë dhe të pedagogjisë si dhe të letërsisë për fëmijë. Pas përfundimit të studimeve universitare, për 40 vjet ka qenë lektor dhe Profesor titullar i lendeve të psikologjise dhe pedagogjisë në Universitetin e Tiranës dhe për një periudhë 5 vjeçare (1975-1980) edhe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit. Nga viti 1972 e deri sa u nda nga jeta më 13 prill 2004, ka qenë Anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Paralelisht me veprimtarinë pedagogjike, deri në vitin 1975 ai ka ushtruar edhe funksione drejtuese publike si Drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik Tiranë, Kryeredaktor i Revistës "Fatosi" dhe Gazetës "Mësuesi", Drejtor i Drejtorisë së Botimeve Shkollore e Drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike në Ministrinë e Arsimit, Zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës si dhe Sekretar i Përgjithshëm Shkencor i Akademisë së Shkencave. Bedri Dedja ka qenë për shumë vjet anëtar i Shoqatës Botërore të Psikologëve, Kryetar i Shoqatë Kombëtare të Psikologëve si dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Shkrimtarëve për fëmijë. Bedri Dedja gjithashtu ka qenë anëtar i Redaksisë së përgjithshme për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985) si dhe bashkëautor dhe redaktor përgjegjës i botimit të Akademisë së Shkencave dhe Ministrisë së Arsimit, Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar Vol. I (2003). Ka punuar dyzet vjet si pedagog i psikologjisë në shkollat e larta të Republikës së Shqipërisë. Për punën e tij shkencore i është dhënë titulli Profesor dhe “Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë”. Është fitues i Çmimit të Republikës në fushën e letërsisë për fëmijë. Gjatë krijimtarisë së tij për më shumë se dyzet vjet, ka botuar vepra jo vetëm për fëmijë, por edhe në fushën e pedagogjisë, psikologjisë, historisë së arsimit shqiptar, të kritikës letrare, sociologjisë dhe politikës. Krijimtaria e tij për fëmijë është shumë e pasur. Shume vepra të tij janë përkthyer e botuar jashtë Shqipërisë si në Maqedoni, Kosovë, Greqi, Rumani, Kinë e Zvicër. Bedri Dedja u nda nga jeta në Tiranë në vitin 2004.