“Ne punojmë, ata vazhdojnë të bllokojnë”. Kështu e ka komentuar kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, vendimin më të fundit të QKL-së për të refuzuar për të dytën herë dhënien e lejes mjedisore për projektin “ Rivitalizimi i Sheshit Liria ” në qytetin bregdetar .  Kryebashkiaku Vangjush Dako ka qenë në QKL-në e Durrësit ku ka aplikuar për herë të tretë për këtë leje mjedisore në lidhje me punimet e sheshit dhe ka paraqitur të gjithë dokumentacionin ashtu si edhe dy herët e mëparshme por sipas kryebashkiakut bllokimi nuk vjen si pasojë e dokumentacionit i cili është i plotë por bllokimi është qartëisht politik. Sipas kryebashkiakut Vangjush Dako qeveria e gjendur në panik  dhe ankth për humbjen e pritshme në ndeshjen elektorale për Bashkinë e Durrësit, si në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet agjencive të saj, vijon të bllokojë në mënyrë arbitrare projektet e Bashkisë. Kryebashkiaku komenton se vendimi i QKL-së është në shkelje të hapur të ligjeve dhe udhëzimeve që janë në fuqi. “Për herë të dytë Qendra Kombëtare e Licencimit, ka refuzuar të japë lejen mjedisore për “Rikualifikimin e krahut perëndimorë Belvedere”, pjesë e projekteve madhore të Bashkisë së Durrësit për zhvillimin e qytetit. Refuzimi për herë të dytë i lejes mjedisore dhe bllokimi i projekteve në mënyrë arbitrare është mesa duket dhe arma që kandidati përsëritës i PD-së, synon të luajë në këto zgjedhje, duke vënë jo qytetarin përpara, por armiqësinë me interesin e qytetit. Ky bllokim i përsëritur gjykojmë se ka lidhje qartësisht me fushatën elektrale. Nga ana tjetër është edhe pjesë e përpjekejeve të pareshtura të qeverisë për të bllokuar investimet dhe projektet e Bashkisë së Durrësit”, ka deklaruar Dako. Sipas tij, dokumentacioni i paraqitur nga ana e Bashkisë në QKL, në të dyja rastet, ka qenë konform ligjit dhe udhëzimit “ Për dokumentacionin e domosdoshëm për të kërkuar leje mjedisore”. Kryebashkiaku ka komentuar se ajo që vihet re qartësisht është fakti se në të dyja rastet e refuzimit, argumentat e QKL jo vetëm që bien në kundërshtim me njëri-tjetrin, bien në kundërshtim me ligjin, por nga ana tjetër janë të mbushura me mjaft interpretime me karakter subjektiv dhe terma të përgjithshëm. Fryma e bllokimit të punimeve të nisura nga Bashkia e Durrësit, - sipas Dakos -, “ka karakter politik”. “Kjo frymë bllokimi është e destinuar të marrë përgjigjen e duhur ndëshkuese nga qytetarët durrasakë nëpërmjet votës më 8 maj. Dua të siguroj qytetarët durrsakë se këto bllokime të përkohshme nuk do të mund të pengojnë investimet dhe zhvillimin e qytetit tonë të dashur nga ana e Bashkisë. 8 maji është dita kur ata do të vendosin për të nesërmen e qytetit të tyre, por dhe më shumë. Ajo do të jetë dita kur do të nisë pa kthim çmontimi i kësaj qeverisjeje të paaftë dhe të korruptuar në nivel qëndror”, ka deklaruar Dako.