Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në aktivitetin me rastin e ditës së pranverës që tashmë është kthyer në një traditë në Durrës. Ky aktivitet i njohur me emrin “Mikpritja Durrsake” organizohet nga shoqata Durrësi me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit. Në fillim kryebashkiaku Dako ka mbjellë një fidan në lulishten pranë Bashkisë së Durrësit, një gjest simbolik si prelud i atmosferës që ofron ardhja e pranverës. Së bashku me kryebashkiakun Dako kanë qenë të pranishëm edhe disa personalitete që janë nderuar në këtë ditë me titujt nderi si dhe personalitete të tjerë të qytetit të Durrësit të cilët së bashku me kryebashkiakun Vangjush Dako kanë mbjellë fidanë në lulishten pranë Bashkisë. Më pas aktiviteti është zhvendosur në pallatin e kulturës A.Moisiu ku të pranishmit kanë ndjekur një program artistik me këtë rast. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryebashkiaku Vangjush Dako, personalitetet e tjera vendore si dhe ambasadori i Vatikanit në Shqipëri Nunci Apostolik Romiro Moliner Ingles. Gjatë programit me rastin e ceremonisë traditë Mikpritja Durrsake janë nderuar edhe tre personalitete të qytetit me titujt Fisnike e Qytetit dhe Nderi i Qytetit të Durrësit. Kryebashkiaku Vangjush Dako është ngjitur në skenë ku ka përshëndetur të gjithë qytetarët durrsakë me rastin e kësaj feste si dhe i ka dorëzuar titullin Fisnike e Qytetit të Durrësit Adelaide Montagnoli(Suor Donata) drejtoreshë e shkollës 9 vjeçare Vinçenc Prendushi për kontributin e saj të jashtëzakonshëm prej 20 vitesh në misionin e humanizmit dhe edukimit të brezave jo vetëm me dije por edhe me vlerat më të mira njerëzore si dhe me titujt Nderi i Qytetit biznesmenin italian Carmine Cipro i cili prej vitesh ushtron aktivitetin në Durrës dhe biznesmenen durrsake drejtuese e një kompanie mjaft të suksesshme Eleni Babameto për kontributin e madh që këta biznesmenë kanë dhënë në ekonominë e qytetit të Durrësit. Tre personalitetet që janë nderuar në këtë ceremoni kanë dhënë një kontribut të shquar për qytetin e Durrësit. Dita e pranverës Mikpritja Durrsake është një festë tradicionale e qytetit të Durrësit ku midis të tjerash nderohen edhe shumë personalitete që kanë kontribuar dhe kontribojnë në dobi të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit.