Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani. Në takimin e zhvilluar në Bashkinë e Durrësit kryebashkiaku Dako dhe presidenti Nishani kanë biseduar gjatë në lidhje me punën që bën Bashkia e Durrësit në shumë fusha me objektiv përmirësimin e jetës së qytetarëve të Durrësit si dhe në lidhje me vizionin dhe të ardhmen që drejtohet kryesisht drejt zhvillimit të turizmit. Më tej kryebashkiaku Dako i ka dhuruar presidentit Nishani një nga simbolet e qytetit të Durrësit. Pas takimit në Bashki kryebashkiaku Dako dhe presidenti Nishani kanë marrë pjesë në aktivitetin e organizuar në pallatin e kulturës. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vizitoi Durrësin pasi ishte i pranishëm në një veprimtari kulturore të organizuar nga Shoqata “Durrësi”, për të nderuar disa nga figurat e shquara të qytetit të Durrësit. Në këtë veprimtari të zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” merrte pjesë edhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe të gjithë drejtuesit e tjerë vendorë. Në vijim të veprimtarisë, Presidenti Nishani nderoi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” mjekun dhe studiuesin e njohur Koçi Moisiu (Pas vdekjes); mjekun dhe pedagogun Zef Kaçulini (Pas vdekjes); muzikantin Ermir Dizdari. Gjithashtu, Kreu i Shtetit i akordoi Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, znj. Adelaide Montagnoli e njohur si motër Donata si dhe z. Carmine Cipro; znj. Eleni Babameto dhe znj. Elsa Baltëza.