Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur përpara Bashkisë së Durrësit pjesëmarësit në turin ndërkombëtar të fuoristradave “Italia AlbaniaOff Road” që kanë nisur nga Durrësi udhëtimin për në Shqipëri. Ky tur jo kompetitiv që vjen për të dytin vit rradhazi në Durrës dhe ka qëllime turistike organizohet nga Desert Experience Organization. Kryebashkiaku Dako i ka mirëpritur pjesëmarrësit e këtij turi dhe ka shprehur kënaqësinë e tij që ky tur me qëllime turistike nis pikërisht nga qyteti më i madh turistik i vendit Durrësi: “Jam i nderuar që ju mirëpres në qytetin tim dhe jam po kaq i kënaqur që ky tur me qëllime turistike nis pikërisht nga qyteti më i madh turistik i Shqipërisë për të dytin vit duke u bërë tashmë një traditë e bukur në sezonin tonë turistik. Ne po punojmë që të kemi një sezon turistik të suksesshëm dhe natyrisht aktivitete të tilla ndërkombëtare të rëndësishme i shërbejnë këtij sezoni që sapo ka nisur ashtu sic edhe turi juaj nis pikërisht nga qyteti im i Durrësit që ju uron një udhëtim të mbarë dhe kam bindjen që ky tur do të vijojë të jetë çdo vit një traditë e bukur në sezonin turistik të Durrësit.” Edhe organizatorët italianë të këtij turi si dhe përfaqësuesit e ambasadës italiane të pranishëm në ceremoni kanë shprehur falenderime të vecanta për kryebashkiakun Dako dhe pritjen që ju bë atyre në Durrës ku nis zyrtarisht edhe ky tur i cili do të zgjasë deri në 9 qershor. Me këtë rast organizatorët i kanë dhuruar kryebashkiakut Dako një pllakat me simbolet e turit në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin midis Italisë dhe Shqipërisë. Turi ndërkombëtar i fuoristradave “Italia Albania Off Road” ka moton e tij “një javë aventure me off-road në natyrën e egër dhe të virgjër të vendit të shqiponjave”. Ky është turi i parë ndërkombëtar i këtij lloji që kalon në Shqipëri dhe pjesëmarrësit e këtij turi me fuoristradat e tyre kanë mbërritur nga Italia në 2 qershror e po këtë ditë janë nisur nga Bashkia e Durrësit për të plotësuar itinerarin turistik shqiptar që nis nga Durrësi e vazhdon në Berat, Pogradec, Lurë, Shkodër, Theth, Krujë, Tiranë e më pas sërish në Durrës nga ku do të bëhet edhe nisja në drejtim të Barit. Pjesëmarrësit do të përshkojnë më shumë se 1100 kilometra në të gjithë Shqipërinë e kryesisht në vendet më të bukura natyrore të Shqipërisë pasi edhe vetë qëllimi këtij turi është njohja me natyrën shqiptare por përvec kësaj parashikohen në itinerare edhe vizitat në monumentet e ndryshme historike të vendit. Pjesëmarrësit në këtë tur janë jo vetëm nga Italia por edhe nga vende të ndryshme të Evropës.