Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në Festën e Detit që tashmë është një traditë e bukur në Durrës. Ky aktivitet organizohet çdo vit nga shoqata Durrësi me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit. Së bashku me kryebashkiakun Dako kanë qenë të pranishëm edhe disa personalitete që janë nderuar në këtë ditë me titujt Nderi i Qytetit si dhe personalitete të tjerë të qytetit të Durrësit. Festa e Detit është zhvilluar në sallën e pallatit të kulturës A.Moisiu ku të pranishmit kanë ndjekur një program artistik me këtë rast. Gjatë programit me rastin e ceremonisë traditë janë nderuar edhe dy personalitete të qytetit me titujt Nderi i Qytetit të Durrësit. Kryebashkiaku Vangjush Dako është ngjitur në skenë ku ka përshëndetur të gjithë qytetarët durrsakë me rastin e kësaj feste si dhe i ka dorëzuar titullin Nderi i Qytetit dy biznesmenëve të njohur të Durrësit Shpresa Prodani dhe Proletar Hasani për kontributin e madh që këta biznesmenë kanë dhënë në ekonominë e qytetit të Durrësit. Shpresa Prodani është administratore e kompanisë së njohur DyrrahSped, e krijuar në vitin 1993 nga biznesmeni i njohur Shpëtim Prodani. Kompania “Dyrrahsped” shtrin aktivitetin e saj brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, duke depozituar dhe shpërndarë nga magazinat e saj mallra të ndryshme. Shpresa Prodani është edhe aksionere në kompaninë e njohur të sigurimeve SIGMA. Gjithashtu kjo biznesmene dhe afariste e suksesëshme, drejton edhe një rrobaqepësi sipas kërkesave të porositësit dhe e destinuar për tregun gjerman të konfeksioneve. Në këtë rrobaqepësi janë angazhuar 80 punëtore, 80 familjet e të cilave i janë mirnjohëse Shpresa Prodanit për punësimin dhe rritjen e mirëqënies së tyre. Nga viti 2005 Shpresa Prodani, është anëtare e Universal Freight Organization me qëndër në Londër. Është fituese e çmimit për kualifikim e manaxhim në Gjenevë të Zvicrës dhe përfaqësuese e Shqipërisë në forumin e parë të Detit të Zi për transportin dhe logjistikën mbajtur në Stamboll në dhjetorin e vitit 2011 nga UNDP-ja. Për të gjithë këtë angazhim aktiv në fushën e biznesit, Shpresa Prodanit Bashkia e Durrësit dhe Shoqata Durrësi, i akordon titullin e lartë Nderi i qytetit të Durrësit. Proletar Hasani është administrator i kompanisë Papmetal e krijuar që në vitin 1993 dhe veçanërisht vitet e fundit, aktiviteti i saj është shoqëruar me arritje të vazhdueshme. Papmetal është kthyer në liderin e tregut shqiptar të prodhimit të profileve tubolare prej llamarine çeliku dhe tregëtimit të profileve, trarëve, llamarinave të ndryshme prej çeliku. Sipërfaqja që shtrihet investimi i kësaj kompanie të fuqishme të metaleve është 12.500 metra katror dhe kapaciteti i prodhimit është në kuotën e 32 mijë tonëve. Rrjeti i shitjeve shtrihet 90 përqind në teritorin e Republikës së Shqipërisë. Produktet e kompanisë papmetal përdoren në Itali, Greqi, Slloveni etj. Papmetak me një staf dinamik, përdor teknikat më të mira të prodhimit dhe manaxhimit, me qëllim afrimin e një cilësie të lartë produkti dhe shërbimi bashkëkohor për klientët. Proletar Hasani dallon për aftësi shumë të mira administrimi, duke ndikuar me shembullin e tij në shtimin e arritjeve të kompanisë papmetal ku janë punësuar mjaft punëtorë. Për ecurinë gjithnjë e më të madhe të kompanisë Papmetal në shërbim të zhvillimit të ekonomisë së tregut, Proletar Hasanit është nderuar me titullin nderi i qytetit. Pjesëmarrësit e shumtë që mbushnin sallën në këtë ceremoni kanë ndjekur më pas koncertin artistik të organizuar me këtë rast. Festa e Detit është një festë tradicionale e qytetit të Durrësit ku midis të tjerash nderohen edhe shumë personalitete që kanë kontribuar dhe kontribojnë në dobi të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit.