Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së emrit “Durrësi-Shqipëria” të një parku në qytetin e Selanikut. Vendosja e emrit Durrës-Shqipëria në këtë park kryhet në kuadër të marrëveshjes për binjakëzim midis Durrësit dhe Selanikut të firmosur nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe kryebashkiaku i Selanikut Janis Butaris gjatë vizitës së këtij të fundit pak kohë më parë në Durrës. Në fjalën e tij përshëndetëse kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u shpreh se një simbolikë e tillë i shërben forcimit të miqësisë midis popullit shqiptar e atij grek. Ai shtoi se të dy qytetet Durrësi dhe Selaniku do të bashkëpunojnë ngushtë në projekte madhore që do të jenë në dobi të qytetarëve të Durrësit dhe Selanikut por edhe komunitetit të madh shqiptar që jeton dhe që është integruar më së miri në Selanik. Sipas kryebashkiakut Dako marrëveshja e binjakëzimit midis dy qyteteve e cila ka filluar të zbatohet është një marrëveshje e rëndësishme që i hap rrugën realizimit të shumë projekteve të përbashkëta në fushat e turizmit, kulturës, transportit, ekonomisë dhe biznesit midis dy qyteteve Durrësit e Selanikut. Në fjalën e tij në ëtë ceremoni kryebashkiaku i Selanikut Janis Butaris deklaroi se të dy qytetet kanë shumë të përbashkëta siç është lashtësia e tyre por edhe se janë dy nga qytetet më ta mëdha të vendeve tona si dhe dy qytete që kanë porte të rëndësishëm. Boutaris u shpreh se dy qytetet tona i lidh rruga Egnatia por edhe komuniteti prej 70 mijë shqiptarësh që jetojnë e që janë integruar plotësisht në Selanik. Sipas tij projektet që do të realizohen midis dy qyteteve do të jenë në dobi të zhvillimit të tyre në disa fusha por edhe në dobi të qytetarëve të Durrësit dhe Selanikut. Kryebashkiaku Janis Butaris, një njeri tepër i moderuar, që ka ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyer me komunitetin e emigrantëve të huaj në Selanik. Në ceremoni ka përshëndetur edhe konsulli shqiptar në Selanik Riza Poda. Kështu në sheshin përballë stacionit të trenit në Selanik, u vendos pllaka me këtë emër dhe në krah të flamurit grek valëvitet edhe flamuri shqiptar, si simbol i marrëdhënieve të mira mes dy popujve, të cilët në qytete si Selaniku dhe shumë të tjerë në Greqi, bashkëjetojnë më së miri me njëri-tjetrin. Po kështu pranë flamurit shqiptar është vendosur edhe flamuri i Bashkisë së Durrësit me simbolin e qytetit. Pas pak ditësh edhe një parku në Durrës do ti vendoset emri “Selanik-Greqi” ku në ceremoninë që do të zhvillohet me këtë rast në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit do të marrin pjesë sërish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe ai i Selanikut Janis Butaris. Qëllimi kryesor i binjakëzimit te qytetit të Durrësit dhe Selanikut është zhvillimi i përbashkët, dhe bashkëpunimi i frytshëm në të gjithë fushat, në interes të qytetarëve të Selanikut dhe qytetarëve të Durrësit. Ky binjakëzim do ti shërbejë zgjerimit të marrëdhënieve miqësore midis dy popujve të Greqisë dhe Shqipërisë duke forcuar rolin e pushtetit lokal. Të dy qytetet do të kenë synim zhvillimin e përbashkët, për një bashkëpunim të frytshëm në të gjithë fushat , ku do të jetë në interes të qytetarëve të Selanikut dhe qytetarëve të Durrësit, të përpiqen të shkëmbejnë informacione dhe përvoja në lidhje me zhvillimin e tyre, veçanërisht në fushat e qeverisjes vendore, tregëtisë, turizmit mirëqënies sociale dhe të mjedisit,zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në trajnime kulturore, arsimore dhe profesionale, si dhe në sektorin e rinisë dhe sporteve, promovimit të turizmit dhe përforcimin e lidhjes midis banorëve te dy qyteteve .