Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në përurimin e Qendrës Komunitare në zonën e Nishtullës. Kjo qendër është ndërtuar në sajë të bashkëpunimit të Bashkisë së Durrësit dhe Programit të Kombeve të Bashkuara - Për Fuqizimin e Komuniteteve Lokale në Nevojë (FKLN), i cili është zbatuar nga UNICEF, UNDP, UNFPA, UNV, në partneritet me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Në ceremoninë e përurimit merrnin pjesë Zv.Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Bardhylka Kospiri, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara Zineb Toumi- Benjelloun, organizata të ndryshme jo-qeveritare si dhe banorë të zonës të cilët janë shprehur se kjo qendër komunitare do të shërbejë në përmirësimin e cilësisë së jetesës së tyre. Kjo qendër do t’u shërbeje rreth 2000 banorëve, nga të cilët 200 janë romë. Në fjalën e tij përshëndetëse kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit do të vazhdojë punën e saj në shërbim të qytetarëve dhe do të vazhdojë të mbështesë projekte që i shërbejnë komunitetit: “Kjo qendër, e cila do t’u shërbeje rreth 2000 banorëve, synon të përmirësojë cilësinë e tyre të jetës, duke ofruar shërbime të ndryshme shëndetësore, sociale dhe arsimore, si dhe krijon mundësinë për më shumë ndërveprim mes banorëve të zonës. Bashkia e Durrësit ka mbështetur fuqimisht dhe do të vazhdojë të mbështesë çdo projekt në fushën sociale që ndihmon shtresat në nevojë.” Në fjalën e saj Zv.Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Bardhylka Kospiri deklaroi se kjo qendër nuk është vetëm një model i sigurimit të shërbimeve të domosdoshme për komunitetin, por ajo sjell edhe modelin e bashkëpunimit pushtet vendor-donatorë, ku pushteti vendor përfshihet dhe luan rol duke ofruar kontributin real të tij në ndërtimin e kësaj qendre. Ndërsa Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara Zineb Toumi- Benjelloun u shpreh se Qendra Komunitare në Durrës është identifikuar nga vetë banorët si një prej prioriteteve për zhvillim. Shumë fëmijë dhe të rinj nuk mund të ndjekin aktivitete që mundësojnë zhvillimin e tyre dhe uljen e stresit që shkakton jeta e përditshme. Kjo qendër do të jetë një mundësi e mirë për këta fëmijë dhe të rinj për t’u zhvilluar dhe socializuar me njëri- tjetrin. Kjo qendër është një prej 20 projekteve të zbatuara në zona të ndryshme si në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier, ku mbi 10.000 banorë kanë përfituar direkt nga ndërhyrjet në infrastukturë. Ky program ka synuar të përmirësojë aksesin e komunitetit Rom dhe Egjyptian në shërbimet sociale në rajonet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Tiranë, nëpërmjet regjistrimit civil, policimit në komunitet, përfshirjes në kurse profesionale si dhe vendosjes dhe forcimit të rrjeteve të mediatorëve Romë në fushën e shëndetit, arsimit, mbrojtjes së fëmijëve. Programi ka mbështetur pjesëmarrjen e këtyre komuniteteve në vendim marrjen lokale, ka lehtësuar aksesin dhe promovuar politika për një përfshirje sociale më të madhe të këtyre komuniteteve.