Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim një delegacion të zyrtarëve nga Kina të kryesuar nga sekretari i dytë i Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Tiranë Zeng Weihong. Në delegacion merrnin pjesë edhe këshilltari ekonomik i ambasadës kineze He Binghua, nëndrejtori i dhomës së tregtisë të qytetit Ningbo, Yu Haidong etj. Ky delegacion ka bashkëbiseduar me kryebashkiakun Vangjush Dako në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe binjakëzimit midis qytetit kinez Ningbo dhe qytetit të Durrësit. Po kështu delegacioni kinez e ka ftuar kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako për të marrë pjesë në forumin e kryetarëve të bashkisë së qytetit Ningbo dhe bashkive të vendeve të Evropës Qëndrore e Lindore që do të zhvillohet në qershor në qytetin Ningbo të Kinës. Zyrtarët kinezë shfaqën një interesim maksimal për qytetin e Durrësit dhe atë çka ofron ky qytet përsa i përket veçanërisht sektorit ekonomik dhe atij të turizmit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka bërë delegacionit kinez një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik ku ka përshkruar rolin e rëndësishëm në ekonominë e të gjithë Shqipërisë të portit të Durrësit. Kryebashkiaku Dako është shprehur se Durrësi ka cfarë ti ofrojë investitorëve të huaj dhe në këtë këndvështrim ai ka kërkuar një nxitje më të madhe të biznesit kinez për të investuar në Durrës. Në këtë kuadër kryebashkiaku Dako ka pranuar edhe ftesën për binjakëzim me një qytet të rëndësishëm si Ningbo si dhe bashkëpunim në fushën ekonomike. Kryebashkiaku Dako është ndalur edhe në fushën e turizmit duke i njohur zyrtarët kinezë me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja. Nga ana e tij sekretari i ambasadës kineze Weihong ka falenderuar kryebashkiakun Vangjush Dako për pritjen dhe deklaroi se kishte dëgjuar edhe më parë për qytetin e Durrësit si një qytet mjaft i rëndësishëm turistik dhe me resurse të mëdha ekonomike. Ai ka biseduar gjatë me kryebashkiakun Dako në lidhje më shumë fusha por kryesisht atë ekonomike ku mund të ngjallet edhe interesimi i investitorëve kinezë. Po kështu biseda është ndalur edhe në sektorin e turizmit i cili gjithashtu është një sektor mjaft i rëndësishëm përsa i përket ekonomisë së qytetit dhe të gjithë Shqipërisë. Në fund të takimit i cili kaloi në një frymë shumë miqësore, kryebashkiaku Dako dhe sekretari i ambasadës kineze Weihong shkëmbyen dhuratat e rastit ku kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i dhuroi zyrtarit kinez një punim artistik artizanal të veçantë ku ishin të gdhendura monumentet kryesore arkeologjike të qytetit të Durrësit ndërsa zyrtari i ambasadës kineze i dhuroi kryebashkiakut Dako një punim tradicional artizanal kinez. Në muajin qershor qyteti Ningbo në Kinë do të organizojë panairin e 13 ndërkombëtar kinez për mallrat e konsumit si dhe javën e shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore midis qytetit Ningbo dhe qyteteve të Evropës Qëndrore dhe Lindore. Po kështu gjatë këtyre aktiviteteve do të organziohet edhe forumi i kryetarëvë të bashkisë Ningbo dhe qyteteve të Evropës Qëndrore dhe Lindore ku do të marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Qyteti Ningbo ka portin e pestë më të madh në botë. Ningbo ka bërë binjakëzim dhe ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me shumë qytete evropiane si Firence dhe Verona të Italisë, Rouen në Francë, Aachen në Gjermani, Rijeka në Kroaci etj. Tashmë qyteti Ningbo i ka bërë ftesë për binjakëzim dhe shkëmbim marrëdhëniesh tregtare e ekonomike edhe me qytetin e Durrësit, ftesë që u pranua nga kryebashkiaku Vangjush Dako i cili gjithashtu ka pranuar ftesën e zyrtarëve kinezë për të marrë pjesë në forumin e kryetarëvë të bashkisë Ningbo dhe vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore në qytetin Ningbo në Kinë. Forumi i kryetarëve të bashkive synon vendosjen e partneritetit midis bashkisë Ningbo me bashki të qyteteve port të vendeve të Evropës Lindore. Në panairin që do të zhvillohet në qershor në Kinë do të promovohet edhe bashkëpunimi turistik dhe rritja e shkëmbimeve të informacionit midis agjencive turistike të Ningbos dhe vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore.