Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në aktivitetin me rastin e festës së pranverës që tashmë është kthyer në një traditë në Durrës. Ky aktivitet i njohur me emrin “Mikpritja Durrsake” organizohet nga shoqata Durrësi me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit. Në fillim kryebashkiaku Dako ka mbjellë rrënjë trëndafili në lulishten pranë Bashkisë së Durrësit, një gjest simbolik për ardhjen e pranverës. Së bashku me kryebashkiakun Dako kanë qenë të pranishëm edhe prefekti Roland Xhelilaj, deputeti i PDIU-së Tahir Muhedini si dhe shumë personalitete të qytetit të Durrësit, të cilët së bashku me kryebashkiakun Vangjush Dako kanë mbjellë trëndafila në lulishten pranë Bashkisë. Më pas aktiviteti është zhvendosur në pallatin e kulturës A.Moisiu ku të pranishmit kanë ndjekur një program artistik me këtë rast. Gjatë programit me rastin e ceremonisë traditë Mikpritja Durrsake është nderuar me titullin Nderi i Qytetit të Durrësit një nga personalitetet e qytetit Ismail Hamiti. Kryebashkiaku Vangjush Dako është ngjitur në skenë ku ka përshëndetur të gjithë qytetarët durraskë me rastin e kësaj feste si dhe i ka dorëzuar titullin Nderi i Qytetit inxhinierit novator Ismail Hamiti në 75 vjetorin e lindjes. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se Durrësi do ti vlerësojë gjithmonë njerëzit e punës dhe që kanë kontribuar për qytetin. Ismail Hamiti ka punuar si inxhinier novator e pedagog që ka dhënë kontributin e tij të çmuar për qytetin e Durrësit. Ai u lind më 9 prill 1939 në fshatin Dolan të rrethit të Filatit, Çamëri. Në gjysmën e dytë të vitit 1944 përjetoi kalvarin e braktisjes së vendlindjes si rezultat i genocidit të forcave reaksionare greke ndaj çamëve. Ismail Hamiti u vendos që nga viti 1945 në qytetin e Durrësit dhe pasi mori mësimet e para në shkollën Bajram Curri në plazh përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme teknike Harry Fultz në Tiranë. Studimet e larta ai i përfundoi në vitin 1966 në universitetin e Tiranës, me rezultate shumë të mira dhe u diplomua inxhinjer mekanik. Po këtë vit fillon punë si nxhinjer prodhimi e projektimi në administratën e N.SH.R.M. ku u konsolidua me një kualifikim profesional-shkencor. Ballafaqimi me problemet teknike të prodhimit, e orjentoi drejt kërkimit të rrugëve të zgjidhjeve efikase ku ja vlen të përmendet vënia në jetë e një organizimi të ri në teknologjinë e riparimit të makinave të ndërtimit. Ndërkohë moment i shenuar në karrierën e tij është projektimi dhe zbatimi i prodhimit të Eskavatorit të parë shqiptar D-500. Ne vitin 1972 Ismail Hamiti kryen një vizitë në Republikën e Kinës në kuadrin e një marrëveshjeje për bashkëpunimin tekniko shkencor midis dy shteteve. Në fund të vitit 1977 dhe në fillim të vitit 1978, kalon në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes si specialist projektimi makinerish. Punon në fushën e projektimeve të konstruksioneve të makinerive teknologjike deri në vitin 1992. Ismail Hamiti është një nga kontribuesit e shquar të krijimit të shoqatës politike atdhetare Çamëria dhe gjatë gjithë këtyre viteve Ismail Hamiti ka punuar vazhdimisht për çështjen çame. Në vitet e para të demokracisë emërohet në detyrën e kryetarit të seksionit të industrisë të komitetit pluralist të kohës e në vazhdim drejtues i seksionit Ekonomik të këshilit të rrethit Durrës. Në vitin 1994 punon si drejtor i flotës tregtare shqiptare. Në vazhdim e deri në daljen në pension punon në Bashkinë e Durrësit. Ndërsa si pedagog që nga viti 1967 ka dhënë mësim në sistemin pa shkëputje nga puna në fillim në shkollat e mesme e më pas në filialin e Durrësit të universitetit të Tiranës. Që nga viti 1999 ka qenë dhe është pjesë e rëndësishme e kompanisë A&I Design, kompani e themeluar nga i biri ark.Indrit Hamiti. Në këtë kompani ka mbuluar sektorët e instalatorëve në fushën e projektimit dhe njëkohësisht çështje të administrimit. Dita e pranverës Mikpritja Durrsake është një festë tradicionale e qytetit të Durrësit ku midis të tjerash nderohen edhe shumë personalitete që kanë kontribuar dhe kontribojnë në dobi të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit.