Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka qenë i pranishëm në mbjelljen e disa pemëve në lagjen nr.4 në një nga rrugët kryesore, në rrugën Egnatia. Këto pemë të llojit dushk janë blerë në sajë të kontributit financiar të myftinisë së Durrësit ndaj në këtë mbjellje pemësh së bashku me kryebashkiakun Dako ka qenë i pranishëm edhe myftiu i Durrësit Redi Quku. Kjo nismë e myftinisë së Durrësit për të dhënë kontributin e saj në gjelbërimin e qytetit është mbështetur fuqishëm nga ana e Bashkisë dhe kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako deklaroi se të gjithë duhet ti bashkangjiten nismave për gjelbërimin e qytetit. Nga ana tjetër kryebashkiaku Dako deklaroi se ky do të jetë viti i investimeve të mëdha për qytetarët e Durrësit: “Dua ta nis me një falenderim për komunitetin mysliman për këtë dhuratë që i bën qytetit të Durrësit, dhuratë që ne e vlerësojmë shumë, jo vetëm nga ana materiale, por edhe për mesazhin që përçon tek qytetarët si dhe tek bizneset dhe cilido tjetër që ti bashkëngjiten kësaj nisme në të mirë të qytetit dhe publikut. Ne do vazhdojmë të punojmë akoma më shumë për shtimin e gjelbërimit në sajë të investimeve të tjera, do të asfaltojmë rrugë e do të mbjellim pemë të tjera. Ky vit do jetë vit i investimeve të mëdha që bashkia do të bëjë për qytetarët e Durrësit.” Nga ana e tij myftiu i Durrësit Redi Quku deklaroi se komuniteti mysliman po jep kontributin e tij në të mirë të qytetit: “Jemi këtu për të dhënë kontributin modest për shtimin e hapësirave të gjelbëra të qytetit dhe e konsiderojmë detyrë parësore përvec detyrave të tjera. Do të doja të falenderoja kryetarin e bashkisë për asistencën dhe ndihëmn e tij në këtë proces. Ky është një donacion i besimtarëve të qytetit që na e besuan për ta përdorur për këtë qëllim dhe ky është vetëm fillimi pasi nisma të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.”