Ditën e dielë në datën 6 prill do të zhvillohet për herë të parë në Durrës Maratona Ballkanike nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe organizuar nga Federata Shqiptare e Atletikës, Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe Bashkia Durrës. Kjo maratonë ballkanike zhvillohet pikërisht në Ditën Botërore të Sportit për Paqe e Zhvillim. Maratona Ballkanike është i pari event në këtë lloj organizimi, qysh nga kampionati i lojrave Ballkanike të vitit 1946 i mbajtur në Tiranë dhe e para herë që një maratonë e tillë zhvillohet në Durrës. Në maratonë do të marrin pjesë 48 sportistë profesionistë të vendeve si: Shqipëri, Kosovë, Itali, Bullgari, San Marino, Maqedoni, Rumani, Turqi, Serbi, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Armeni etj. Ky aktivitet sjell në Durrës atletë cilësorë nga Ballkani dhe më gjerë duke demonstruar nje garë solidariteti e paqeje dhe duke e kthyer këtë aktivitet kulturor-sportiv në një ngjarje që do të shpalosë vlerat qytetare dhe mikpritëse të qytetit bregdetar dhe historik të Durrësit. Kjo maratonë do të shoqërohet edhe nga 2500 nxenes te shkollave të qytetit që do të vrapojnë dhe festojnë me rastin e të dy eventeve pasi Maratona Ballkanike përkon edhe me vrapimin e paqes me rastin e Ditës Botërore të Sportit për Paqe e Zhvillim që do të mbahet në të gjithë botën në të njëjtën ditë, me slloganin Athletics Better World.

 

Programi i Aktivitetit:

Ora 9.00-9.30 Grumbullimi i pjesëmarrësve dhe pozicionimi në vendet e caktuara pranë pallatit të kulturës A.Moisiu

Ora 9.30 Ceremonia e hapjes

Ora 10.00 Starti i maratonës, nisja e vrapuesve profesionistë për garën 21 km

Ora 10.30 Nisja e vrapuesve të shkollës së Mjeshtërisë Sportive për garën 5 km

Ora 10.15 Nisja e vrapimit masiv demonstrativ të nxënësve të shkollave

Ora 10.15-11.00 Koncert Festiv i QKF përpara pallatit të kulturës

Ora 11.00 Ceremonia e promocionit dhe dhënies së medaljeve për fituesit e garave