Kryetari i Bashkisë së Durrës Z Vangjush Dako i akordoi titullin “Mirënjohja e qytetit të Durrësit” shoqatës Ulqini, e cila prej vitesh është krijuar në qytetin bregdetar. Titulli është akorduar mbrëmjen e së premtes gjatë një aktiviteti që është zhvilluar nga shoqata Ulqini në sallën e pallatit të kulturës. Më herët kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako priti delegacionin e komunës së Ulqinit në bashki, i cili kryesohej nga kryetari i saj Fatmir Gjeka. Në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi kulturor dhe artistik midis dy qyteteve si dhe roli i ulqinakëve që prej më shumë se 100 vitesh u zhvendosën nga Ulqini për tu vendosur në qytetin e Durrësit. Pas këtij takimi në sallën e pallatit të kulturës është zhvilluar aktiviteti festiv me këngë qytetare ulqinake të interpretuara nga këngëtarë të njohur të qytteit të Durrësit. Motivacioni i titullit “Mirënjohja e qytetit” për shoqatën Ulqini është për kontributin e anëtarëve të kësaj shoqate në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe arsimor të qytetit të Durrësit.