Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar rikonstruksionin e kuartalleve në lagjen 17 të Durrësit. Ky është një investim i madh që po kryen Bashkia e Durrësit për të asfaltuar rrugët e brendshme dhe kuartallet e kësaj lagjeje. Në këto punime për rehabilitimin e të gjithë zonës janë kryer edhe punimet për sistemet e kanalizimeve, ndriçimi, trotuaret si dhe lulishtet. Bashkia ka kryer në këtë zonë një investim prej rreth 41 milion lekë dhe në sajë të këtij investimi është rikonstruktuar një hapësirë prej rreth 17 mijë metra katrorë dhe nga ky investim përfitojnë rreth 12 mijë banorë të kësaj zone. Banorët e shumtë të kësaj lagjeje kanë falenderuar kryebashkiakun Dako për këtë investim që ka ndryshuar pamjen një zone mjaft të gjerë banimi. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako deklaroi se ky investim përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone e cila ka qenë një zonë problematike përsa i përket infrastrukturës: “Kemi kryer një investim të rëndësishëm për rehabilitimin e kësaj zone ku tashmë infrastruktura është moderne dhe më vjen mirë që banorët e shumtë që takuam na kanë përgëzuar për punën që kemi bërë në këtë lagje. Me një investim prej rreth 41 milionë lekësh kemi rehabilituar përfundimisht të gjithë këtë zonë dhe mbajmë premtimin tonë që banorët të shkelin në rrugë dhe sheshe të asfaltuara. Synimi i punës sonë është që të përmirësojmë sa më shumë cilësinë e jetës së qytetarëve të Durrësit dhe ne do të vazhdojmë me të tjera investime të mëdha për përmirësuar sa më shumë infrastrukturën në qytetin tonë.”