Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka nënshkruar një marrëveshje që do ti hapë rrugë binjakëzimit të Durrësit me qytetin e Bitontos në Itali. Gjatë një vizite zyrtare në Bitonto, qytet në afërsi të Barit, kryebashkiaku Dako është pritur në bashkinë e qytetit në një ceremoni të veçantë të organizuar për nder të vizitës së tij. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i këshillit bashkiak të Bitontos Vito Palmieri, nënkryetarja e Bashkisë së qytetit Rosa Calo, zyrtarë të lartë vendorë, qytetarë shqiptarë që jetojnë në Bitonto si dhe studentë të Institutit Sylos. Në këtë ceremoni kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë titullin Mirënjohje e Qytetit të Bitontos, titull i cili i është dorëzuar nga kryetari i këshillit bashkiak Palmieri dhe nënkryetarja e bashkisë së Bitontos, Calo. Më pas kryebashkiaku Dako dhe nënkryetarja e bashkisë së Bitontos, Calo, kanë nëshkruar marrëveshjen e përbashkët e cila është hapi i parë drejt binjakëzimit të dy qyteteve, Durrësit e Bitontos. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i këshillit bashkiak të Bitontos Vito Palmieri ka përshëndetur kryebashkiakun e Durrësit dhe deklaroi se: “Dy qytetet tona janë pika referimi të rëndësishme për një zonë mjaft të gjerë mjafton të përmendim të gjithë rajonin në Bari ku ka një komunitet të rëndësishëm me shqiptarë si dhe pozicionin strategjik të portit të Durrësit shumë të rëndësishëm pë rtë gjithë rajonin. Jam i sigurtë që binjakëzimi midis Bitontos dhe Durrësit do të afrojë edhe qytete e rajone që janë pranë dy qyteteve tona gjë që do të rrisë dhe do ta zgjerojë bashkëpunimin midis dy vendeve.” Nga ana e saj nënkryetarja e bashkisë së Bitontos, Rosa Calo, deklaroi se ekzistojnë lidhje të ngushta midis Italisë dhe Shqipërisë: “Ka shumë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Bitonto por të shumtë janë edhe italianët që janë transferuar në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë dhe është e rëndësishme që të ketë raporte të ngushta midis bashkive të dy qyteteve tona.” Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako pasi ka falenderuar të pranishmit për titullin që ju akordua nga bashkia e Bitontos deklaroi në fjalën e tij se rruga drejt Bashkimit Evropian kalon nga Italia e veçanërisht Puglia pra nga deti Adriatik i cili nuk i ndan por i bashkon vendet tona:“Binjakëzimi i Durrësit më Bitonton është një proces i rëndësishëm. Shqipëria kërkon të hyjë në BE dhe rruga drejt Bashkimit Evropian kalon nga Italia e veçanërisht Puglia pra nga deti Adriatik i cili nuk i ndan por i bashkon vendet. Realizimi i këtij binjakëzimi do të sjellë shumë shkëmbime kulturore, ekonomike dhe turistike midis dy qyteteve tona por edhe midis Durrësit dhe zonës së Puglias në përgjithësi.” Binjakëzimi midis Durrësit dhe Bitontos do ti hapë rrugë bashkëpunimit në shumë fusha midis dy qyteteteve si bashkëpunimi ekonomik, social kulturor sportiv dhe sidomos ai turistik.