Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako merr pjesë në firmosjen e marrëveshjes për nisjen e zbatimit të projektit për linjën e re të ujit të pijshëm dhe rehabilitimin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Marrëveshja është nënshkruar pranë Impiantit të përpunimit të ujërave të ndotura në Shënavlash në prani të drejtuesve të ministrisë së Transporteve,

Ujësjellës Kanalizime, përfaqësuesve të Bankës Botërore si dhe njësive vendore. Marrëveshja është nënshkruar nga Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a Spartak Kovaci dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto në prani të përfaqësuesit të Bankës Botërore David Michaud. Pas nënshkrimit të marrëveshjes ka përshëndetur kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, si kryetar i njësisë vednore që ka numrin më të madh të aksioneve në shoqërinë e e UKD-së. Kryebashkiaku Dako u shpreh se ky është projekti më i rëndësishëm që do të këtë Durrësi pas viteve ’90, pasi zgjidh një herë e përgjithmonë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetin tonë, zonën e Plazhit si dhe kanalizimet e ujërave të zeza: “Marrëveshja që firmoset midis Bankës Botërore qeverisë shqiptare për Projektin e investimit në sektorin e ujit për qytetin e Durrësit është e një rëndësie mjaft të madhe që synon të zgjidhë përfundimisht problemin e mungesës së ujit në qytetin tonë. Durrësi është një qytet që ka marrë zhvillim të gjithanshëm, ekonomik në vitet e fundit dhe për këtë arsye kërkesave që vijnë gjithnjë e në rritje për ujë të pijshëm, nuk mund ti përmbushë gjendja aktuale e burimit ekzistues. Burimi i Fushë Kuqes për furnizimin e qytetit të Durrësit dhe zonave rurale përreth, ndërtuar në vitin 1974, merrte parasysh shtimin natyror të popullsisë, por jo lëvizjet demografike që nisën pas vitit 1990. Ndërtimi i një linje të dedikuar vetëm për qytetin së bashku me zonën turistike të Plazhit, është një zgjidhje mjaft e mirë, pasi tubacioni që do të ndërtohet për këtë qëllim nuk do të ketë më ndërhyrje dhe humbje të ujit gjatë rrugës. Siç dihet gjatë verës popullsia e qytetit të Durrësit shtohet ndjeshëm dhe për këtë arsye projekti i ri i jep zgjidhje përfundimtare problemit të mbartur prej vitesh në zonën turistike. Furnizimi me ujë i qytetit për një kohë më të gjatë se sa 6 orë që është aktualisht, do të bëjë që të zvogëlohet rrëziku i ndotjes. Një pjesë e rëndësishme e këtij projekti është edhe investimi në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza, i cili synon rritjen e kapacitetit të rrjetit ekzistues të kanalizimeve që do të suportojë rritjen e furnizimit me ujë në një mënyrë të qëndrueshme mjedisore dhe shoqërore, duke përfshirë përmirësimin e pjesëve kritike të qytetit, si dhe zonën turistike të Plazhit.” Më pas ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto tha se ky investim është mjaft i rëndësishëm për Durrësin dhe rrethinat e tij. Bashkë me partnerët e tjerë të qeverisë po shohim konceptin që do të aplikojmë në të ardhmen në sektorin e ujit, në mënyrë që ai të kalojë në një rikonstruksion të thellë. Ka nevojë për shumë investime kapitale në këtë fushë dhe me mjaft rëndësi në këtë project është prania e përfaqësueseve të komunave e bashkisë. Përfaqësuesi i Bankës Botërore David Michaud tha se shërbimi i ujit të pijshëm që marrin qytetarët e Durrësit është aktualisht më i ulët se mesatarja e pjesës tjetër të vendit, ndërsa edhe ndotja e plazhit nga ujërat e zeza është problem tjetër. Tashmë UKD ka një bord të ri dhe kjo është gjë pozitive. Për shkak të humbjeve të ujit dhe arkëtimit të ulët ndërmarrjes i krijohet cdo vit 5 milion euro dëm në buxhetin e saj. Ne si BB jemi të gatshëm të bashkëpunojmë si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal. Projekti ka vlerën e 85.3 milion euro dhe përbëhet nga 4 komponentë: Ndërtimi i linjës së dedikuar të ujësjellësit nga Fushë Kuqja deri në Durrës bashkë me puset dhe stacionet e pompimit me vlerë 40 milion euro, rehabilitimi i kanalizimeve në Durërs dhe zonën e Plazhit, mbështetja në zbatimin e projektit për instalimin e matësave të ujit në masën 100 përqind për gjithë zonën që mbulon UKD, mbështetja institucionale për reformimin e ndërmarrjes. Aktorët që do të jenë pjesë e projektit janë ekipi i menaxhimit të projektit në ministrinë e Transporteve, UKD, PIU (njësia e zbatimit të përditshëm të projektit) si dhe komiteti i projektit. Projekti aktualisht është në fazën tenderuese dhe në vitin 2015 parashikon përfundimin e shumicës së punimeve si dhe rritjen e tarifave të shërbimit. Në vitin 2019 projeti ka përfunduar totalisht si dhe ka dhënë efektet financiare tek UKD.