Bashkia e Durrësit dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës kanë organizuar konferencën “Mbështetja italiane për forcimin e kapaciteteve dhe promovimin ekonomik në Qarkun Durrës”. Në këtë aktivitet ka marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Ky aktivitet i rëndësishëm u zhvillua si përmbyllje e projektit 2 vjeçar "Ngritje Kapacitetesh dhe Promovimi Ekonomik në Bashkinë Durrës",

me partner lider La Spezia EPS dhe partnerë përfitues Bashkia Durrës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës. Në këtë konferencë merrnin pjesë përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria Italiane e Zhvillimit Ekonomik, përfaqësues të ambasadës italiane, Unioncamere Italia, Dhomat e Tregtisë italiane partnere në projekt, prezenca e lartë italiane në Shqipëri, autoritetet qendrore e lokale dhe komuniteti i biznesit. Në fjalën e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se përmirësimi i klimës së biznesit si dhe thithja e investimeve të huaja mbeten prioritetet më të rëndësishme të politikave të Bashkisë Durrës, si një parakusht për zhvillimin e sipërmarrjes, krijimin e një ambjenti të lirë konkurrues, zgjerimin e tregut dhe rritjen e punësimit: “Dëshiroj të theksoj se realizimi i këtij projekti ka qenë një provë e vërtetë për bashkëpunimin midis dy institucioneve me natyra të ndryshme, njëra njësi e qeverisjes vendore dhe tjetra organizatë biznesi. Me një mentalitet dhe një përqasje të re të veprimtarisë së Bashkisë dhe të marrëdhënieve të saj me aktorë dhe organizata që operojnë në komunitet, duke e konsideruar si faktor kyç për një progres ekonimik të qëndrueshëm bashkëpunimin me biznesin dhe shoqërinë civile, arritëm të përmbyllim me sukses këtë projekt, kaq të dobishëm për komunitetin tonë. Libri i biznesit dhe direktoria online japin informacion dhe plotësojnë gjeografinë e biznesit, tepër e nevojshme për të gjitha Drejtoritë e Bashkisë, duke filluar nga Drejtoria e Politikave Zhvillimore e deri tek ajo e Taksës dhe e Tarifës Vendore. Seminari, me një numër të madh nëpunësish të administratës së Bashkisë, na ka dhënë një material të bollshëm mbi menaxhimin e territorit të politikave mjedisore si dhe të një mënyre efektive bashkëkohore të caktimit dhe të mbledhjes së tarifave dhe taksave vendore nga biznesi dhe komuniteti. Shumë interesant është studimi i besueshmërisë për ngritjen e një qendre panairesh në territorin e Bashkisë dhe ky projekt mundësoi studimin paraprak për një qendër të tillë. Me anë të këtij studimi Bashkia do të bëjë të gjitha përpjekjet për të siguruar një grant nga qeveria qëndrore si dhe për të gjetur donatorë të tjerë që do të mbështesin financiarisht investimin për ndërtimin e kësaj qendre. Përmirësimi i klimës së biznesit si dhe thithja e investimeve të huaja mbeten prioritetet më të rëndësishme të politikave të Bashkisë Durrës, si një parakusht për zhvillimin e sipërmarrjes, krijimin e një ambjenti të lirë konkurrues, zgjerimin e tregut dhe rritjen e punësimit. Këto synime kërkojnë padyshim një qasje të re për partneritetin me biznesin, si një marrëdhenie bashkëpunimi efikas, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Me kënaqësi mund të them sot, në përmbyllje të projektit, se kemi dhënë një provë të sigurt të mirëfunksionimit në Durrës të partneritetit Bashki – Biznes dhe sigurisht shfrytëzoj rastin për t’i përcjellë një falenderim të veçantë partnerëve italianë që na mbështetën në këtë drejtim.”