Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë dy ditore në Itali, ku mori pjesë në çeljen e pavionit shqiptar në Bienalen e Venecias. Ndalesa e parë e Kryeministrit Rama ka qenë në Verona, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, nga Ministrja e Kulturës Kumbaro, dhe deputetët Gaçi dhe Klosi. Në takimin e zhvilluar me Kryetarin e Bashkisë së Veronës Flavio Tosi, kryeministri ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë mes qyteteve të Durrësit dhe Veronës, duke pasur parasysh edhe faktin që të dy qytetet përveç potencialit turistik, kanë të përbashkët edhe amfiteatro të ndërtuara gjatë perandorisë romake. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako shprehu angazhimin e tij për të binjakëzuar dy qytetet, si dhe për të marrë eksperiencat më të mira nga Bashkia e Veronës në mbrojtjen e amfiteatrit të Durrësit dhe nxitjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike në këtë amfiteatër, që mendohet të jetë më i madhi i ndërtuar jashtë kufijve të perandorisë romake.