Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në Festën e Detit që tashmë është një traditë e bukur në Durrës. Ky aktivitet organizohet çdo vit nga shoqata Durrësi me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit. Së bashku me kryebashkiakun Dako kanë qenë të pranishëm edhe drejtuesit e tjerë vendorë, ministri për marrëdhëniet me parlamentin Ilirian Celibashi, si dhe disa personalitete që janë nderuar në këtë ditë me titujt Nderi i Qytetit dhe Fisnikëria e Qytetit si dhe personalitete të tjerë të qytetit të Durrësit.

Festa e Detit është zhvilluar në sallën e pallatit të kulturës A.Moisiu ku të pranishmit kanë ndjekur një program artistik me këtë rast. Gjatë programit me rastin e ceremonisë traditë kryebashkiaku Vangjush Dako është ngjitur në skenë ku ka përshëndetur të gjithë qytetarët durrsakë me rastin e kësaj feste si dhe i ka dorëzuar titullin Nderi i Qytetit konsullit të nderit të Bosnjës në Shqipëri Fiqiri Kllari si dhe biznesmenit të njohur Pëllumb Alimadhi ndërkohë që kryebashkiaku Dako i ka dorëzuar titullin Fisnikëria e Qytetit personalitetit të njohur durrsak Shpëtim Myshketa i cili ka ndërruar jetë para disa kohësh dhe titulli ju dorëzua bashkëshortes së tij.

Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se qyteti i Durrësit do ti nderojë gjithmonë njerëzit e punës që kontribuojnë për qytetitn e Durrësit. Fiqiri Kllari është konsull nderi i Bosnjës në Shqipëri, kryeplak i fshatit Borakë si dhe president i shoqatës Zambak e cila është shoqata kombëtare e boshnjakëve të Shqipërisë ndërsa si biznesmen ai është president i kompanisë Gllavica.

Pëllumb Alimadhi është një biznesmen i njohur jo vetëm i Durrësit por në shkallë kombëtare i cili drejton kompaninë Gig sh.p.k dhe ka në pronësi edhe qendrën e njohur tregtare Casa Italia. Kompania e Alimadhit ka të punësuar aktualisht rreth 450 punonjës.

Me titullin Fisnikëria e qytetit është nderuar një nga personalitetet e njohur durrsakë, Shpëtim Myshketa. Ai ka qenë profesor i njohur, intelektual me vlera të rralla si dhe shkrimtar, përkthyes dhe publicist. Myshketa përveçse profesor ka kryer edhe detyra të rëndësishme shtetërore si kryetar i këshillit të parë pluralist të Durrësit, kryetar i këshillit kombëtar të zhvillimit të strategjive të arsimit shqiptar, drejtor i Drejtorisë Rajonale Arsimore Durrës etj.

Pjesëmarrësit e shumtë që mbushnin sallën në këtë ceremoni kanë ndjekur më pas koncertin artistik të organizuar me këtë rast. Festa e Detit është një festë tradicionale e qytetit të Durrësit ku midis të tjerash nderohen edhe shumë personalitete që kanë kontribuar dhe kontribojnë në dobi të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit.