Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim Kryetarin e Parlamentit të Republikës të Turqisë, Cemil Çiçek dhe delegacionin parlamentar turk që e shoqëronte, të cilët kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Durrës.

Kryebashkiaku Vangjush Dako ka shtruar një drekë pune për nder të delegacionit turk ku kryeparlamentari turk Çiçek i ka shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës si dhe kanë diskutuar mbi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe vëllazërore që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Turqisë, të cilat shtrihen në aspekte të shumta politike, ekonomike, tregtare, kulturore, arsimore, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë rajonal dhe në atë ndërkombëtar.

Kryebashkiaku Dako nga ana e tij pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës të parlamentarëve turq, i ka njohur ata me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike por edhe turistike e kulturore që ka qyteti ynë.

Së bashku me kryebashkiakun Dako kanë marrë pjesë në pritjen e delegacionit turk në Durrës edhe deputetët Spartak Braho, Blendi Klosi, Klodiana Spahiu, Esmeralda Shkjau si dhe kreu i qarkut Alfred Mullaraj dhe prefekti Roland Xhelilaj.

Kryetari i Parlamentit turk Cemil Çiçek shoqërohej nga bashkëshortja e tij dhe një delegacion i përbërë nga sekretari i përgjithshëm i parlamentit turk İfan Neiroğlu, deputeti i provincës Imir, Rıfat Sait i cili është edhe shefi i grupit ndërparlamentar të miqësisë Turqi-Shqipëri, deputetët Hüseyin Bürge i provincës së Stambollit, Emre Köprül i provincës Tekirdağ, Lütf Türkan i provincës Kocaeli si dhe zyrtarë të tjerë të parlamentit turk.

Pas kësaj dreke punë delegacioni i parlamentarëve të Turqisë i shoqëruar nga kryebashkiaku Dako dhe pjesëtarët e tjerë të palës shqiptare ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Durrësit ku janë ndalur në amfiteatrin e qytetit si dhe më pas në xhaminë Fatih.