Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në aktivitetin me rastin e festës së pranverës që tashmë është kthyer në një traditë në Durrës. Ky aktivitet i njohur me emrin “Mikpritja Durrsake” organizohet nga shoqata Durrësi me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit. Në fillim kryebashkiaku Dako ka mbjellë rrënjë trëndafili në lulishten pranë Bashkisë së Durrësit, një gjest simbolik për ardhjen e pranverës. Së bashku me kryebashkiakun Dako kanë qenë të pranishëm edhe prefekti Roland Xhelilaj, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj si dhe shumë personalitete të qytetit të Durrësit, të cilët së bashku me kryebashkiakun Vangjush Dako kanë mbjellë trëndafila në lulishten pranë Bashkisë. Më pas aktiviteti është zhvendosur në pallatin e kulturës A.Moisiu ku të pranishmit kanë ndjekur një program artistik me këtë rast.

Gjatë programit me rastin e ceremonisë traditë Mikpritja Durrsake janënderuar me titullin Nderi i qytetit të Durrësit personalitetet e qytetit Mimoza Mele Laku, Lulzim Kastrati dhe Raimond Nushi. Kryebashkiaku Vangjush Dako është ngjitur në skenë ku ka përshëndetur të gjithë qytetarët durraskë me rastin e kësaj feste si dhe ka deklaruar se Durrësi do ti vlerësojë gjithmonë njerëzit e punës dhe që kanë kontribuar për qytetin.

Mimoza Mele Laku është drejtoreshë e degës së kompanisë Sigal në Durrës. Ajo vjen nga një familje me reputacion në këtë qytet. Ajo që ndikoi në pozicionimin në jetë, duke hapur perspektivë dhe nxitur karriere të sukseseshme falë marrdhënieve model me kolegët dhe bashkëpunëtorët, ishte përfundimi me rezultate të shkëlqyera të studimeve të larta në Universitetin e Tiranës në fakultetin ekonomik. Mele vazhdon më tej të thellohet në aftësitë drejtuese dhe manaxhuese, duke iu nënshtruar kualifikimeve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Viti 1994 e gjen Mimoza Melen, në krye të qendrës së formimit profesional në Durrës, duke qenë e para drejtoreshë e këtij institucioni, për të kaluar më pas në vitin 1995 në fondacionin Soros me detyrën kordinatore kombëtare e debatit. Ky ishte nga progamet më masive të fondacionit Soros, që në thelb udhëhiqej nga edukimi i brezit të ri me kulturën demokratike të fjalës së lirë. Në program përfshiheshin të gjitha shkollat e mesme dhe universitetet e Republikës së Shqipërisë.

Në vitin 2001 nga programi i fondacionit Soros, krijohet organizata kombëtare e debatit, ku emërohet në postin e drejtores ekzekutive të kësaj organizate. Dhjetë vite angazhime dhe përpjekje në këtë detyrë, flasin për të tjera afirmime të vlerave drejtuese, organizative dhe manaxhuese të Mimoza Meles, duke punuar me mijëra të rinj e të reja në shkollën e debatit. Ata janë aftësuar me artin e të debatuarit, mënyrën e organizimit të mendimit dhe formën demokratike të fjalës së lirë. Këto breza i janë bashkuar shoqërisë tonë demokratike dhe janë edhe më tej aktivë në nivele të ndryshme të organizimeve shtetërore, politike dhe private. Mimoza Mele është Drejtore e degës së kompanisë Sigal në Durrës që nga viti 2004, duke mbushur në këtë detyrë plot 11 vite dhe gjithnjë vazhdon po ai angazhim, përkushtim dhe detyrim ndaj detyrës së saj funksionale dhe lidhjes aktive me individë, biznese dhe shoqërisë. Aftësimi profesional i Mimoza Meles përfshin edhe kursin pasuniversitar në universitetin Linkoln në Nebraska të SHBA për manaxhim biznesi dhe mjaft kurse për marrjen ne sigurim dhe menaxhim të burimeve njerëzore. Nga shoqata e gruas për zhvillim dhe karrierë, në vitin 2009 ka marrë titullin Nderi i Punës. Mbështet fuqishëm edhe klubin e artit dhe kulturës të sigal unika grup durrës, ku kryhem mjaft veprimtari social kulturore dhe pasuruar jetën kulturore artistike të Durrësit. Për tërë këtë angazhim aktiv dhe itensiv, Bashkia e Durrësit dhe Shoqata Durrësi e nderojnë Mimoze Melen me titullin e larta Nderi i Qytetit të Durrësit.

Lulzim Kastrati është një biznesmen i suksesshëm, duke ngritur gjithçka nga e para fryt i përpjekjeve, djersës dhe mundit të tij të jashtëzakonshëm. Së bashku me bashkëshorten e tij të nderuar Shpresën, janë kthyer në një mundësi reale jo vetëm për zhvillimin dhe përparimin e aktivitetit të tyre privat, por edhe për angazhimet humane dhe përkushtuese në komunitetin ku jetojnë. Falë shpirtit krijues, manaxhues dhe novator, Lulzim Kastrati duke testuar saktësisht përvojën e grumbulluar, themelon një biznes në fushën e materialeve të ndërtimit dhe hidrosanitareve në zonën industriale Durrës – Shijak. Duke qenë modest dhe kërkues në atë që kërkonte dhe ndërtonte, duke shfrytëzuar përvojën dhe bashkëpunimin me kompani të ndryshme ndërtimi, ai u rrit profesionalisht dhe tani e udhëheq biznesin e tij vetëm drejt përmirësimit dhe arritjeve. Por përsëri ai nuk u mjaftua me kaq. Duke shfrytëzuar bashkëpunimin me firmën italiane maniitalia, e cila ka të punësuar me dhjetra e dhjetra gra e vajza, ngre dhe e vendos në shfrytëzim një kopsht për fëmijë në katër rrugët e Shijakut. Këtë kopsht e drejton e shoqja Shpresa, që jep shpresë për këto gra dhe fëmijët e tyre. Çifti Kastrati jo vetëm bashkëpunon njëri me tjetrin për aktivitetet e ngritura, por u gjenden pranë për ti ndihmuar edhe njerëzve në nevojë. Në këtë drejtim ato janë shumë të njohur në zonën e Shijakut, pasi kështu i ka bërë jo vetëm ndershmëria dhe përpjeket për të punuar me përkushtim, por edhe zemra e tyre e madhe dhe e ndjeshme ndaj halleve dhe shqetësimeve të komunitetit. Ndihmojnë ekonomisht gra që kanë vendosur fëmijët e tyre në kopsht, por nuk harrojnë të trokasin shpesh në jetimoren e qytetit të Durrësit, duke ofruar ndihma dhe mbështetje ekonomike për fëmijët dhe njerëzit e tjerë në nevojë.

Për këtë angazhim konkret, të ndjeshëm dhe të prekshëm, për këtë bujari e zemërbardhësi të tyre, për ndershmërinë dhe seriozitetin që i kushtohen biznesit të tyre, duke u kthyer në një shembull pozitiv dhe referues, Bashkia e Durërsit dhe Shoqata Durrësi, i akordon Lulzim Kastratit titullin e lartë Nderi i Qytetit të Durrësit.

Rajmond Nushi, i cili pak kohë më parë është ndarë nga jeta, u rrit, edukua e u burrërua me dashurinë dhe korrektësinë për punën, familjen dhe shoqërinë. U detyrua të punonte në moshë të njomë, duke iu bërë krah nënës së tij të shtrenjtë Kristinës pas vdekjes së babait. Rajmond Nushi, ky njeri i shkathët dhe model qytetarie, nuk qendroi duarkryq në vitet e ndryshimit të sistemit, as dhe mendoi të largohej nga qyteti por vrau mëndjen ti përshtatej kushteve të krijuara të një tregu të lirë dhe të decentralizuar. Biznesin e tij e krijoi mbi bazën e ndershmërisë, korrektesës dhe mirkutoimit reciprok ndërmjet tij dhe klientëve. Krijuan një bërthamë që shërbente për riparimin e ekspresëve të kafeve në bare dhe restorante. Italia ishte qendra ku çifti Raimondi dhe bashkëshortja e tij Lindita mbështeteshin në marrjen e ekspresëve të rinj, si dhe të krijimit të bazës teknike të nevojshme për riparimin e tyre. Rajmondi krijoi reputacion në Durrës dhe më gjërë dhe nuk merrte frymë nga ngarkesa në punë. Bleu një dyqan të vogël, ku punësoi disa të rinj dhe i aftësoi ato në fitimin e profesionit. Me shtimin e paisjeve për bare, restorante dhe hotele, aktiviteti i çiftit Nushi po zgjerohej dita ditës dhe po jepte rezultate, pse jo edhe surprizante.

Falë lidhjeve korrekte me firmat italiane ku bashkëpunonin aktivisht dhe fitimit të besueshmërisë së nevojshme, Rajmond dhe Linda Nushi fituan ekskluzivitetin e firmës së njohur Elektroluks Zanuss. Ardhja në Durrës dhe për pasojë edhe në Shqipëri, të paisjeve të reja dhe të përdorura por të cilësisë së lartë, rriti më tej kërkesat dhe prestigjin e këtij biznesi të ngritur me shumë mund e sakrifica. Dhjetë vite të shkuara, Mond Nushi hodhi një tjetër hap të guximshëm. Firmën e pagëzuan me emrin e të birit Raili shpk, e përqendroi në Shkozet, atje ku ngriti dhe objektin që flet sot, por më shumë edhe nesër, sepse janë të shumtë njerëzit në Shqipëri të cilët rrëfejnë plot dashuri dhe pse jo edhe me dhimbje për shpirtin solidar e fisnik të Mond Nushit, për njeriun që nuk kurseu kurrë përvojën dhe ndihmën për të tjerët në nevojë, për ata që hapnin biznese të reja me lokale, bare e restorante. Dhe kjo ndihmë e përvojë nuk është dhënë vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Mond Nushi u kthye në një shkollë të diturisë dhe përvojës për specializimin dhe aftësimin e shumë të rinjve. Për këtë zemër të madhe e bujare të Mond Nushit, për këtë personalitet e mirësi të tij, për këtë punëdashje të pastër dhe modestia e rrallë e tij prej biznesmeni të suksesshëm që do të vlerësohen e nuk do të harrohen kurrë në Durrës dhe më gjërë, Bashkia e Durrësit dhe Shoqata Durrësi, e nderojnë këtë djalë të shkëlqyer të Durrësit me titullin e lartë Nderi i Qytetit të Durrësit.

Dita e pranverës Mikpritja Durrsake është një festë tradicionale e qytetit të Durrësit ku midis të tjerash nderohen edhe shumë personalitete që kanë kontribuar dhe kontribojnë në dobi të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit.