Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar rrugën “Durrësi në Shekuj” në lagjen 14 të qytetit. Kjo ishte një rrugë problematike që tashmë pas rikonstruksionit sipas standarteve bashkëkohore përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës së banorëve të zonës së Shkozetit. Kryebashkiaku Dako është takuar me qindra banorë të kësaj që i kanë shprehur falenderimet e tyre për punën e kryer në këtë rrugë. Kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit tregon vëmendje maksimale për të gjithë qytetarët e Durrësit si ata që banojnë në qendër ashtu edhe ata që banojnë në periferi: “Ky është një investim i Bashkisë në kuadër të përmirësimit të cilësisë së jetës të banorëve të Durrësit. Kjo rrugë që përurojmë është një rrugë e rëndësishme jo vetëm për banorët e kësaj lagjeje por edhe për bizneset që operojnë në këtë zonë pasi kjo është një rrugë lidhëse midis zonës industriale të Shkozetit dhe autostradës. Ky investim i vjen në shërbim banorëve të vjetër por edhe të atyre që kanë ardhur pas viteve ‘90 në këtë lagje. Rikonstruksioni i kësaj rruge tregon vëmendjen që ka Bashkia e Durrësit për të gjithë qytetarët si ata që banojnë në qendër ashtu edhe ata që banojnë në periferi pa asnjë dallim. Me këtë moto dhe me këtë vizion do të vazhdojmë ti shërbejmë të gjithë qytetarëve në territorin e ri të bashkisë së Durrësit, atyre të Ishmit, të Sukthit, Manzës, Katundit të ri, Rrashbullit ku të gjitha rrugët dhe të gjitha lagjet e tyre do të asfaltohen dhe rikonstruktohen nga Bashkia e re.” Kjo rrugë ishte e pakalueshme dhe falenderojmë kryetarin e bashkisë për punën e shkëlqyer në këtë rrugë – u shpreh një nga banoret e kësaj lagjeje. Një tjetër banor shprehet se kjo rrugë i ka lehtësuar jetesën të gjithë qytetarëve të zonës: “Unë jetoja në qendër dhe vendosa përpara 15 vjetësh të vija këtu në periferi dhe kur pashë rrugën me baltë e me gropa thashë pse erdha por sot me shtrimin e kësaj rruge jo vetëm unë por të gjithë ne që banojmë këtu jemi të kënaqur sepse na lehtësohet jeta. Kryetarit të Bashkisë i urojmë suksese se ne e duam njeriun që punon dhe vetë fakti që po lulëzon çdo cep i Durrësit tregon se sa shumë ka punuar ky kryebashkiak.” Rruga “Durrësi në Shekuj” është rikonstrktuar me një fond prej rreth 6.8 milion lekë dhe është asfaltuar një sipërfaqe prej 2388 m2 si dhe janë kryer të gjitha kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza.