Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në ceremoninë me rastin e ditës së Evropës organizuar në një shesh simbol për shkak se nga ky shesh shqiptarët janë nisur drejt një Evrope të lirë. Po kështu kryebashkiaku Dako ka përuruar edhe dy skulpturat në bronz të yjeve të muzikës rrok Mick Jagger dhe Tina Turner që i shtohen asaj të John Lennon. Kryebashkiaku Dako deklaroi se ishin këta idhuj që me muzikën e tyre frymëzuan durrsakët dhe të gjithë shqiptarët me idealet e lirisë:
“Festojmë sot ditën e Evropës e cila është një ditë e shënuar edhe për ne sepse edhe ne jemi qytetarë të Evropës.Kemi vendosur këto statuja të yjeve të muzikës rrok pikërisht në këtë shesh për të dhënë një mesazh, që, nga ky vend, nga kjo portë e Shqipërisë drejt Evropës u nisën shumë shqiptarë që kishin ideal dhe ëndërr të tyre Evropën, kishin ideal të tyre lirinë dhe perëndimin. Ishin pikërisht këta idhuj të muzikës që i inspiruan durrsakët dhe shqiptarët për një jetë më të mirë, i inspiruan ata për lirinë dhe për një Shqipëri më demokratike. Këto dy skultura bashkë me skulpturën e John Lennon janë pjesë e projektit tonë “Idhuj në Bronz”.
Ne do të vazhdojmë këtë projekt edhe me artistë të tjerë për ti dhënë qytetit më tepër bukuri, më shprehje njerëzore sepse nuk duhen harruar vështirësitë e mëdha e të kaluarës sonë para 1990, e në atë kohë ishin pikërisht këta artistë të mëdhenj që na mbushnin të gjithë ne durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve me emocione dhe shpresë drejt perëndimit.”
Kryebashkiaku Dako ka sjellë në kujtesë historinë e viteve më parë kur qytetarët e Durrësit të privuar nga gjithçka për shkak të sistemit diktatorial, ëndërronin lirinë e Evropës nëpërmjet muzikës që prodhonin këta idhuj të të gjithë botës së qytetëruar. Përmes tingujve të muzikës së këtyre idhujve – shtoi Dako - që ne kemi zgjedhur t'i përjetësojmë në bronz në këtë ditë të veçantë, ne zbuluam Europën që kishim brenda nesh, Europën me mure të shembura të "The Wall" të Pink Floyd, Europën si ideal lirie.
Statujat e Tina Turner dhe Mick Jagger janë realizuar nga skulptorët e shquar shqiptarë Ilmi Kasemi dhe Arben Bajo. Këto dy skulptura i bashkohen asaj të Jonh Lennon, e cila ka qenë mjaft e vizituar, duke krijuar një kompleks interesant e duke e kthyer këtë shesh simbol si portë e Shqipërisë drejt Evropës në një atraksion turistik të rëndësishëm.