Shkëmbimi kulturor midis dy vendeve është mjaft i rëndësishëm për integrimin e dy kulturave mes dy popujve tanë, shqiptar dhe gjerman, kështu ka deklaruar kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako në koncertin e orkestrës simfonike të të rinjve gjermanë në bashkëpunim me orkestrën rinore të harqeve Tirana. Koncerti është zhvilluar në arenën e amfitetarit antik të qytetit të Durrësit, ku i pranishëm ka qenë edhe ambasadori i Gjermanisë Hellmut Hoffmann. Kryebashkiaku Dako në përshëndetjen e tij i ka uruar mirëseardhjen të rinjve gjermanë, duke shtuar se pas vizitës së tyre të parë në Durrës dhe Shqipëri, me siguri që do të ndryshojnë opinionin për ato që kishin dëgjuar më parë rreth vendit tonë:

"Ky aktivitet është shumë i rëndësishëm për integrimin e dy kulturave, asaj shqiptare dhe gjermane dhe ne do të vazhdojmë me aktivitete të tilla. Unë i uroj mirëseardhjen të rinjve gjermanë dhe sot ata shohin një ambient modern, një Durrës ndryshe dhe besoj se do të jenë dallëndyshet e Shqipërisë në Gjermani". Ambasadori gjerman Hellmut Hoffmann në përshëndetjen e tij tha se është kënaqësi që jam i pranishëm në një qytet si Durrësi. Ai është shprehur se dua të komplimentoj kryetarin e bashkisë së Durrësit për punën e bukur dhe të mirë që ka bërë në këtë qytet: "Për ne është një kënaqësi që të vijmë në një qytet kaq të këndshëm sic është Durrësi. Doja të komplimetoja kryetarin e bashkisë për punën e bukur dhe të mirë që ka bërë në këtë qytet. Ishe një ide shumë e mirë që në këtë amfiteatër të dëgjohej një muzikë shumë e bukur. 

Gjithashtu doja të falenderoja edhe këta të rinj, ata janë 83 vetë që kanë ardhur nga Gjermania dhe janë shumë të kënaqur me mikpritjen këtu". Orkestra sinfonike e të rinjve gjermanë nga Berlini me dirigjent Knut Andreas  përbëhej nga 83 persona. Ajo ka interpretuar pjesë nga kompozitorë të njohur si George Bizet, Enio Morricone, Carl Nielsen dhe Dmitri Schosttakoësitsch. Në këtë koncert kanë marrë pjesë edhe instrumentistët e orkestrës rinore të harqeve "Tirana", me dirigjent Bujar Alliu. Kjo e fundit ka interpretuar pjesë nga kompozitorët Pjetër Gaci dhe Ymer Skënderi. Një vit më parë kjo orkestër ka qenë në Berlin me ftesë të orkestrës sinfonike të të rinjve gjermanë.